AlbanianSport.com 25/12/2018 20:50
ASNN – Janë luajtur 18 javë garë në Kategorinë Superiore dhe në një farë mase janë përcaktuar plotësisht grupi i skuadrave që luftojnë për trofe dhe i atyre që do të rivalizojnë deri në fund për mbijetesë në elitë. Në analizat e shumta që ka bërë Albaniansport.net ka evidentuar një mangësi të këtij sezoni, që ka të bëjë me sulmin. Dhe në fakt, sulmi është reparti më i dobët, është “arma” e munguar e këtij kampionati. Ka një tregues të thjeshtë që e bën sulmin të jetë në krizë serioze.
Jo vetëm sepse mungojnë lojtarët e spikatur golashënues, por edhe sepse vetë skuadrat në shumicën dërrmuese të tyre ndjekin një skemë taktike loje të natyrës mbrojtëse. Është pikërisht kjo skemë që në kushtet e futbollit shqiptar ku përgatitja fizike dhe tekniko-taktike nuk është e nivelit të lartë që mundëson marrjen e maksimumit nga grupi. Në vendet me futboll të zhvilluar, një skuadër quhet e suksesshme kur realizon minimalisht 1.5 gola për ndeshje.
Natyrisht, në Kategorinë Superiore asnjë skuadër nuk e ka këtë tregues. Ekipi që shënon më shumë, Teuta e Durrësit, e cila ka realizuar në 18 javë garë 24 gola, ka një koeficient 1.3 gola për ndeshje. Sa pak! Një skuadër pretendente për titull duhet të ketë minimalisht 2 gola për ndeshje, por më e pakta 1.5 gola për ndeshje që është kufiri kritik i pozitivitetit. Partizani kryesues ka shënuar 19 gola, pra më pak se 1.1 gol për ndeshje. Një katastrofë e vërtetë!
Një skuadër që pretendon titullin sikurse është grupi i drejtuar nga Skënder Gega duhet të kishte shënuar shumë më tepër. E si mund të dalë kampione një skuadër që shënon një gol për ndeshje?! Në kampionatet elitare evropiane një gol për ndeshje i shënon një sulmues i vetëm, natyrisht, këta janë lojtarët e nivelit më të lartë. Si rrallë këto vite edhe Skënderbeu, që shquhej për lojën e tij sulmuese dhe golat e shumtë, këtë sezon realizon 1.2 gola për ndeshje.
Kukësi, nënkampion në fuqi dhe njëherësh një pretendent për titullin, është në koeficientin e 1 gol për ndeshje. I vetmi futbollist që plotëson pak a shumë “normën” është Latifi i Teutës, me 9 rrjeta të realizuara në 18 ndeshje, pra 0.5 gola për ndeshje. Ky koeficient është pikërisht “kufiri” i minimumit për një “goleador”. Në kushtet e Superiores, një lojtar efikas sulmi duhet të shënojë të paktën 20 gola në edicion të quhet golashënues i mirëfilltë.
Por me ritmin që kanë aktualisht sulmuesit janë larg shumë këtij objektivi. E thënë ndryshe, nëse ky sezon ka një mangësi serioze, ai është pikërisht sulmi, “arma” që i mungon këtij kampionati. Dhe një kampionat të cilit i mungojnë golat nuk prodhon spektakël, por Superiorja e ka kompensuar këtë me rivalitetin e shumë skuadrave në garën për titull.
Nr. Skuadra Gol për ndeshje
- Teuta 1.3
- Skënderbeu 1.2
- Tirana 1.0
- Partizani 1.0
- Kukësi 1.0
- Laçi 0.9
- Flamurtari 0.8
- Luftëtari 0.8
- Kastrioti 0.6
- Kamza 0.5