AlbanianSport.com 25/12/2018 16:15
ASNN – Një nga lojtarët e afruar nga Gllasgou Rejnxhërsi në merkaton e verës është dhe sulmuesi i krahut i Kombëtares kuqezi, Eros Grezda. Në një vlerësim të bërë për blerjet e gjigandes skoceze, gazeta e njohur britanike “Deili Star”, e ka cilësuar futbollin kuqezi si “premtues”. Gazeta e njohur britanike, “Daily Star”, ka bërë një analizë të blerjeve verore të klubit të Gllasgou Rejnxhërsit, duke u bazuar në të dhënat sportive të lojtarëve të afruar në këto 6 muajt e fundit dhe ku padyshim prioritet janë golat, minutazhi, pasimet për gol dhe kontributi në lojën e skuadrës nëpërmjet rasteve të krijuara.
Një nga lojtarët e afruar nga Gllasgou Rejnxhërsi në merkaton e verës është dhe sulmuesi i krahut i Kombëtares kuqezi, Eros Grezda, për të cilin në vlerësimin e saj gazeta e njohur britanike thotë se është “premtues”. Në fakt, futbollisti më i mirë i afruar gjatë verës, është mesfushori Skot Arfilld i cili në 27 ndeshje me “gjigandët” e futbollit skocez, ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 4 pasime ideale për gol. Nota maksimale është 10, por “Daily Star” e ka vlerësuar Eros Grezdën me notën 6.5, një notë mesatare. Në analizën për lojtarin shqiptar thuhet se: “Ka talent, kualiteti i tij nuk vihet në diskutim, loja në krah është e shpejtë dhe me cilësi teknike”.
“Sinjalet që ka dhënë deri tani janë pozitive e premtuese, por ai duhet të bëjë shumë më tepër që të krijojë profilin e një futbollisti stabël në formacionin e trajnerit Stiven Xherard”, – shton gazeta britanike, që evidenton faktin se Grezda ka qenë një blerje e orës së fundit në merkaton e verës, pasi Gllasgou Rejnxhërsi e bleu atë nga Osijeku kroat, në fillim me shumë bujë dhe sipas të përditshmes britanike ai ende nuk e ka arritur maksimumin e vet. Në fakt, edhe pse jepen përshkrime reale analitike, në analizën e “Daily Star” nuk thuhet që Grezda bën diferencën, por përmendet disa herë termi “premtues”.
Pra, lihet në dorën e lojtarit të tregojë sesa vlen realisht e sa do të jetë i aftë të tregojë potencialin e tij maksimal në pjesën e dytë të sezonit.