AlbanianSport.com 24/12/2018 18:25
ASNN – Elseid Hysaj është duke kaluar momente të pasigurta tek Napoli, pasi ka humbur shkëlqimin e dy sezoneve të mëparshme dhe tani ndodhet nën presionin e rivalëve, po edhe të tifozerisë. Në ndeshjen e fundit që Napoli fitoi 1-0 në Serinë A ndaj SPAL-it shqiptari ishte titullar në fushë dhe bëri paraqitje të mirë, por gazetarët italianë kanë gjetur “mangësi” në një prizmë tjetër.
Ata shohin një çoroditje psikologjike të mbrojtësit të Kombëtares kuqezi, duke përdorur paraqitjen e tij në duelin e fundit, një prezantim me “dy fytyra”, sipas tyre, i shkodranit. Gjithmonë sipas gazetarëve italianë, Hysaj po ndjen presionin e madh që e rrethon. Nga frika e gabimeve ai bën pasime gjithnjë e më të shkurtra dhe nuk guxon të marrë iniciativa.
Në fakt, mediat italiane e vlerësojnë me notë të mirë, sepse thonë që, në fund të fundit, Hysaj e jep kontributin e tij për ekipin. Problemi i tij me trajnerin Karlo Ançeloti qëndron në faktin se Hysaj nuk merr iniciativë në krahë, që të vijë në ndihmë të sulmit. Prandaj edhe është alternuar me Malkuit rival që ka më tepër kurajo në lojën sulmuese. “Ai jep një mbështetje të madhe për të kaltrit”, – shkruajnë mediat sportive italiane.
“Por është e pakuptueshme që këtë mbështetje e jep pasi rezultati të jetë 1-0 në favor të Napolit”, – vijojnë ato në përshkrimin që i bëjnë shqiptarit. Pra mediat italiane nuk ia heqin meritat shkodranit të përfaqësueses së Shqipërisë. Hysaj vetë nuk ka pranuar të flasë, as të debatojë dhe si duket kjo sjellje e kompenson, pasi ai mbetet, sidoqoftë, zgjedhje e parë e Napolit.