AlbanianSport.com 24/12/2018 16:35
ASNN – Kategoria Superiore e këtij sezoni po befason tërësisht, madje statistikat e saj tregojnë për një ndryshim radikal të mentalitetit të lojës së shumë klubeve. Skënderbeu që ka prej 7 vjetësh që dominon kampionatin ka humbur shkëlqimin e tij dhe është përfshirë nga një krizë e thellë që mund të ketë pasoja të rënda për vazhdimësinë. Korçarët kanë zbritur në vend të 5-të, me 30 pikë, po aq sa Laçi i vendit të 4-t. Tirana, jetë e mot pretendente e favorite, ndodhet në zonën e mbijetesës dhe i është kthyer makthi i rrëzimit nga kategoria.
Në atë grup të gjithë mbrohen, përshi Luftëtarin dhe Kamzën, që s’kanë alternativë tjetër. Kukësi ka kuptuar që Skënderbeu “s’është në garë” dhe ka ngritur flamurin si pretendent i parë, por kryesimin e ruajnë ende të kuqtë kryeqytetas. Të gjitha këto skuadra që përmendëm kanë një të përbashkët: mbrohen dhe vetëm mbrohen. Por është një skuadër tjetër që sulmon dhe që ka befasuar në këto dy fazë të para të kampionatit. Është Teuta, skuadra me sulmin më të mirë. Nën drejtimin e trajnerit Bledi Shkëmbi, kjo skuadër ka mundur të bëjë një progres të pabesueshëm.
Nga një skuadër që kishte vite që lufton te për mbijetesë, tani Teuta ka shfaqur pretendime titulli dhe është vetëm 5 pikë prapa Partizanit kryesues. Pra durrsakët janë në valle për trofeun kryesor dhe për një vend në Ligën e Evropës. Teuta e këtij edicioni është ekipi i vetëm i Superiores që luan hapur, bën lojë të bukur dhe korr fitore. Kjo ka sjellë si kurrë më parë njerëzit në Stadiumin “Niko Dovana”. Dhe tifozët duan lojë të hapur e të bukur dhe Teuta e Shkëmbit e përmbush këtë kriter. Sa u takon statistikave, “Djemtë e detit”, janë ekipi më sulmues i Superiores.
Kanë realizuar 24 gola dhe kanë pësuar 13, duke pasur një diferencë prej +11 golash. Praktikisht ekipi më i mirë sulmues. Krahasuar me rivalët e kreut, ku Partizani ka shënuar 19 e pësuar 9 (+10), si dhe Kukësin që ka shënuar 18 e pësuar 9 (+9), Teuta duket skuadra më e mirë në shifra dhe nuk është rastësi. Kjo skuadër ka në gjirin e vet sulmuesin më të mirë të garës së këtij sezoni, Latifin me 9 gola, dy më shumë se rivalët e tij Rexhinaldo i Kukësit, bregu i Skënderbeut dhe Shkurtaj i Luftëtarit. Janë pikërisht shifrat që i japin të drejtë trajnerit Bledi Shkëmbi të vijojë në këtë rrugë.
Në kushtet kur kundërshtarët vetëm mbrohen dhe përpiqen të gjejnë mundësi kundërsulmi, Shkëmbi ka gjetur alternativë taktikën sulmuese dhe deri tani është në rrugën e duhur. Grupi po e mbështet dhe i përgjigjet, ndërsa së fundmi ka zbuluar edhe “fenomenin” në gjirin e skuadrës, Sherif Kallaku, i cili ka realizuar gola me peshë në javët e fundit.