AlbanianSport.com 23/12/2018 16:20
ASNN – Elis Bakaj e mbyll si lojtari më i mirë i Soligorskut në Bjellorusi, çmim inkurajues për shqiptarin. Elis Bakaj po kalon një sezon fantastik në radhët e Shahtjor Soligorskut në kampionatin elitar të Bjellorusisë. Ai ka shënuar gola, ka dhënë pasime ideale për gol dhe është një prej futbollistëve më të vlefshëm të skuadrës së tij.
Kjo paraqitje e tij e mirë ka marrë edhe një çmim serioz nga klubi, duke dëshmuar se mesfushori fantazist me tipare sulmuese, Bakaj, është në kulmin e tij. Kështu, ai është vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit duke qenë se në 32 ndeshje, ka arritur të shënojë 12 gola në të gjithë veprimtaritë dhe ka dhënë edhe 8 pasime për gol për shokët.
Ai ka arritur të fitojë këtë çmim të rëndësishëm individual me 63% të votave. Edhe kjo është një dëshmi që tifozët e skuadrës bjelloruse e vlerësojnë shumë lart Elis Bakajn. “Faleminderit të gjithëve që më zgjodhët mua futbollistin më të mirë të vitit”, – shprehet Bakaj në mesazhin e tij pas marrjes së çmimit.
“Premtoj se vitin e ardhshëm do të jap më të mirën për ekipin tim. Ndihem shumë i lumtur që edhe sezonin e ardhshëm do të jem pjesë e këtij ekipi me këta tifozë të mrekullueshëm”, – ka përfunduar ish-futbollisti i Dinamos, Partizanit, Tiranës dhe Vllaznisë.