AlbanianSport.com 23/12/2018 15:25
ASNN – Të dielën u luajt dhe ndeshja e tjetër e javës së 18-të të Kategorisë Superiore, Luftëtari-Partizani, e luajtur në stadiumin e Gjirokastrës. Ky duel i rëndësishëm përfundoi në barazim 1-1. Ishte një ndeshje ku në fillim shënuan miqtë nga Tirana me anë të talentit Esat Mala, i cili realizoi në minutën e 36-të. Pjesa e parë do të mbyllej 0-1 në favor të të kuqve kryeqytetas, por në pjesën e dytë gjërat do të ndryshonin shpejt. Pa kaluar 10 minuta nga nisja e fraksionit të dytë të lojës realizoi Ymeraj për Luftëtarin, duke sjellë baraspeshimin e lojës dhe të rezultatit.
Me këtë rezultat, pra 1-1, u mbyll krejt ndeshja. Luftëtari mori një pikë dhe u barazua me Tiranën në 17 pikë, duke e bërë garën e mbijetesës mjaft të konkurruar. Ndërsa Partizani mori, gjithashtu, një pikë dhe shkoi në 37 pikë. Ruan kreun e renditjes, por tani i kërcënuar nga rivalët që janë afruar ndjeshëm, sidomos Kukësi dhe Teuta që kanë 34 dhe 33 pikë. Sidoqoftë, Partizani shpallet edhe matematikisht “kampion dimri”, sepse e mbyll gjysmën e parë të sezonit në vend të parë. Ndërkaq, të premten janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 18-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Tirana rikthehet të shkëlqejë dhe të fitojë. Skuadra e drejtuar nga Ardian Mema fitoi në shtëpi 1-0 përballë Flamurtarit, duke e mbyllur vitin 2018 me fitore. Bardheblutë kanë zhvilluar një lojë bindëse përballë një Flamurtari që dukej sikur ishte futur në fushën e lojës për të marrë 1 pikë. Rastet e shumta të krijuara nga bardheblutë u kurorëzuan vetëm në minutën e 87-të pas golit të shënuar nga Edon Hasani. Një fitore që e ngjit Tiranën në kuotën e 17 pikëve. Ndërkohë Skënderbeu vijon rënien e lirë. Skuadra e Orges Shehit, regjistroi humbjen e 4-t rradhazi duke u mundur dhe nga Kamza.
Ernest Gjoka arriti kështu fitoren e parë në krye të Kamzës, falë golit të Masato Fukuit në minutën e 43-të. Java e 18-të e Kategorisë Superiore vijoi të shtunën pasdreke me takimin Teuta-Laçi që u mbyll në barazim 1-1, ndërsa Kukësi fitoi të dielën 2-0 ndaj Kastriotit. Edhe pas kësaj jave konfirmohet se ka dy grupe, një që lufton për titull e tjetri që lufton për mbijetesë. Në grupin e fundtabelës ka 4 ekipe që luftojnë për mbijetesë, por këtë herë me Kastriotin që ka pësuar disfata të rënda dhe ndodhet 5 pikë larg Kamzës së vendit të parafundit.
Kurse në grupin e kreut ka 6 skuadra, ku diferenca mes Partizanit kryesues dhe Flamurtarit të vendit të gjashtë është 9 pikë. E thënë ndryshe, rivaliteti është i fortë dhe gara për titull është e hapur. Këtë e mundëson jo vetëm rivaliteti i fortë, por edhe formula e kampionatit ku ka shumë ndeshje direkte midis ekipeve pretendente.
Kategoria Superiore
Java e 18-të
Të premten, 14 dhjetor 2018:
Kamza – Skënderbeu 1-0
Tirana – Flamurtari 1-0
Të shtunën, 15 dhjetor 2018:
Teuta – Laçi 1-1
Të dielën, 16 dhjetor 2018:
Luftëtari – Partizani 1-1
Kukësi – Kastrioti 2-0
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 18 11 4 3 19-98 37
- Kukësi 18 10 4 4 18-9 34
- Teuta 18 9 6 3 24-13 33
- Skënderbeu 18 9 3 6 20-13 30
- Laçi 18 8 6 4 16-13 30
- Flamurtari 18 8 4 6 15-12 28
- Tirana 18 4 5 9 19-21 17
- Luftëtari 18 5 2 11 15-21 17
- Kamza 18 4 3 11 9-20 15
- Kastrioti 18 3 1 14 11-35 10