AlbanianSport.com 23/12/2018 14:30
ASNN – Lojtari më i paguar në botën e futbollit është Lionel Mesi i Barcelonës, i cili fiton 35 milionë Euro neto nga klubi katalan, ndërsa fitimet vjetore të tij nga imazhi, sponsorët etj, i kalojnë 100 milionë Euro. Natyrisht, lojtarë të tjerë të paguar janë edhe Kristiano Ronaldo, Nejmar etj, të cilët luajnë me skuadra të nivelit të lartë dhe që kanë financa të fuqishme.
Por nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vjen një lajm surprizë. Lojtari që deri dje ishte më i përmenduri në treg që mund të kthehej në një nga klubet italiane të Milanos, Zllatan Ibrahimoviç, ndihet aq mirë në MLS-në amerikane sa nuk ka asnjë arsye të kthehet në Evropë. Sipas mediave amerikane, klubi i Los Anxhelos Galaksi i ka ofruar Ibrës një pagë “faraonike” prej 7.5 milionë dollarësh.
Një shumë që e bën 37-vjeçarin lojtarin më të paguar në kampionatin amerikan të futbollit. Edhe pse Ibra nuk ia doli ta mbajë skuadrën e tij në “play-off”-in e MLS-së në SHBA, ai ka shkëlqyer me cilësitë individuale, duke shënuar 22 gola dhe ka dhënë 10 pasime për gol. Kjo ka bërë që klubi i Los Anxheklos Galaksi ta rinovojë kontratën me të.
Kështu, sipas rrjetit prestigjioz televiziv ndërkombëtar, “ESPN”, klubi amerikan do t’i japë futbollistit suedez 7.5 milionë dollarë në vit, duke e bërë atë futbollistën më të paguar në SHBA. Më parë, rekordi me 7.1 milionë dollarë mbahej nga “ish”-i i Juventusit, italiani Sebastian Xhovinko.