AlbanianSport.com 22/12/2018 21:40
ASNN – Botërori i Klubeve në Futboll, që u zhvillua në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka kurorëzuar të shtunën Realin e Madridit si fitues për të 3-tin herë në 4 vitet e fundit. Kampionia në fuqi e Evropës triumfoi me shifrat 4-1 ndaj vendasve të Al-Ain’it, ndërsa vendin e 3-të e mori River Plejti, që mposhti thellë, 4-0, Kashima Entllërsin.
Reali i Madridit përmbylli një tjetër vit të jashtëzakonshëm, duke siguruar për të 3-tën herë radhazi trofeun e Botërorit të Klubeve në Futboll, duke mposhtur bindshëm kampionen vendase, Al-Ainin, me rezultatin 4-1. Finalja e zhvilluar në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi dhe e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka qenë në fakt rrugë me një kalim për kampionen e Evropës.
Ajo ka kapërcyer një rast të mirë të humbur për vendasit në minutën e 13-të, duke u kundërpërgjigjur menjëherë në aksionin tjetër, e duke kaluar në epërsi me anë të futbollistit më të mirë të botës në 2018-ën, Luka Modriçin. Pavarsisht rasteve të shumta, por të shkuara dëm nga madrilenët, kryesisht nga Benzema, por edhe një goli të vendasve, të anuluar për pozicion jashtë loje, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë njëgolëshe të evropianëve, të cilët do të dyfishojnë shifrat në minutën e 60-të, me anë të të riut Jorente.
Reali vazhdoi të dominonte dhe 11 minuta para fundit, kapiteni Serxhio Ramos gjen edhe golin e 3-të. Japonezi Tsukasa Shiotani gjeti më në fund golin e ngushëllimit për arabët, në minutën e 86-të, por gjithçka do të mbyllet në minutën e parë shtesë, kur Jahia Naderi kthen në rrjetën e vet topin e goditur nga Vinicius Zhunjor, duke vulosur fitoren 4-1 të Realit të Madridit.