AlbanianSport.com 21/12/2018 18:00
ASNN – E ardhmja e Hames Rodrigezit do të vendoset në fund të këtij sezoni futbollistik. Pra në fund të qershorit 2019, futbollisti kolumbian do të vendosë nëse do të qëndrojë apo jo te Bajerni i Mynihut.
Gjatë një konference shtypi në Bogota, ku ai paraqiti një koleksion të një marke zvicerane, Rodrigez u pyet në lidhje me fjalët që qarkullojnë për një kthim të mundshëm te Reali i Madridit, klubi ku ai ka luajtur nga viti 2014 në 2017.
“Kam një kontratë me Bajernin deri në qershor dhe nuk mund të them asgjë. Të shohim deri në verë” – tha kapiteni i kombëtares së Kolumbisë. Deri më tani, në këtë sezon, Rodriguez ka luajtur vetëm 7 nga 24 ndeshje në kampionatin gjerman.
Kolumbiani pësoi një dëmtim në gjurin e majtë, i cili e ka mbajtur jashtë fushës që nga 13 nëntori. Por përveç problemit fizik, Hames Rodrigez ka treguar se vendimet e trajnerit kroat Niko Kovac e kanë penguar atë që të ketë më shumë rëndësi në këtë sezon.
“Unë nuk kam luajtur aq shumë me trajnerin e ri dhe nuk mund të premtoj asgjë, nëse duhet të largohem sepse nuk luaj, atëherë do të iki,” – tha futbollisti. Megjithatë e ardhmja e tij, nëse do të qëndrojë apo te Bajerni, do të vendoset në qershor 2019.