AlbanianSport.com 21/12/2018 13:25
ASNN – Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit luan në fundjavë ndeshjet e javës së 14-të të saj, që është edhe java e fundit për vitin 2018. Si zakonisht, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë dy takimet më të spikatura të grupeve përkatëse dhe të shtunën, duke nisur nga ora 13:30, vjen drejtpërdrejt përballja e Lezhës, midis Besëlidhjes dhe Erzenit të Shijakut.
Vendasit janë të 4-tët në renditje në prag të kësaj sfide, me 19 pikë, ndërsa miqtë mbajnë vendin e dytë me 27 pikë, 5 më pak sesa Vllaznia kryesuese, e cila përballet në Shkodër në derbi me Veleçikun e Koplikut. Takimet e tjera të kësaj jave në grupin e Veriut janë Dinamo-Shënkolli, Burreli-Vora dhe Korabi-Iliria e Fushë-Krujës. Ndërkaq të shtunën luhen 4 takime të javës së 14-të të grupit B, të cilat janë Besa-Oriku, Tomori-Egnatia e Rrogozhinës, Pogradeci-Turbina e Cërrikut dhe Elbasani-Bylis.
Takimi i fundit i kësaj jave në grupin e Jugut luhet të dielën dhe Lushnja pret Apoloninë në përballjen që luhet në Stadiumin “Roza Haxhiu”. Kjo ndeshje, që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 13:30, është një derbi myzeqar që vë përballë vendasit që mbajnë aktualisht vendin e 4-të, me 20 pikë, 7 më pak sesa Bylisi kryesues, me fierakët që janë 3 shkallë poshtë, në vendin e 7-të, me 4 pikë më pak.
Kategoria e Parë
Java e 14-të
Grupi A
Të shtunën, 22 dhjetor 2018:
Veleçiku Koplik – Vllaznia (13:30)
Besëlidhja – Erzeni Shijak (13:30)
Dinamo – Shënkolli (13:30)
Burreli – Vora (13:30)
Korabi – Iliria Fushë-Krujë (13:30)
Grupi B
Të shtunën, 22 dhjetor 2018:
Besa Kavajë – Oriku (13:30)
Tomori – Egnatia Rrogozhinë (13:30)
Pogradeci – Turbina Cërrik (13:30)
Elbasani – Bylis (13:30)
Të dielën, 23 dhjetor 2018:
Lushnja – Apolonia (13:30)