AlbanianSport.com 20/12/2018 23:00
ASNN – Sekretari i UEFA-s, Theodoridhis magjepset nga “Arena Kombëtare” dhe nga selia e re që po ndërton FSHF-ja. Një prej zyrtarëve të lartë të UEFA-s, pikërisht Sekretari i Përgjithshëm, Theodhoros Theodhoridhis, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku po ndjek nga afër një sërë punësh që po bën Federate Shqiptare e Futbollit dhe për të shtuar marrëdhëniet midis futbollit shqiptar dhe qeverisë evropiane të futbollit në tërësi. Vizita e tij në Tiranë nisi me një takim me kryeministrin, ndërsa më pas, i shoqëruar nga Presidenti i FSHF-së Armand Duka, dhe Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, Theodhoridhis pa nga afër punimet për ndërtimin e selisë së re të Federatës Shqiptare të Futbollit në mjediset pranë “Parkut Olimpik” të Tiranës.
Por edhe Stadiumin e ri Kombëtar që po ngrihet në kryeqytet, “Arena Kombëtare e Tiranës”. “Pashë progresin që po bëhet për zyrat e reja të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe stadiumin, – u shpreh për mediat numri 2 i UEFA-s, – për të dyja këto mund të them që jam i befasuar. Është si një erë e re për vendin tuaj. Unë kam qenë disa herë këtu, edhe kur ishte stadium i vjetër “Qemal Stafa”, por tashmë ky s’ka të krahasuar. Sa i përket kandidimit të mikut tim, presidentit Duka, në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, unë duhet të jem i distancuar pasi jam Sekretar i Përgjithshëm i UEFA-s dhe ka disa persona që kandidojnë, kështu që duhet t’i respektoj të gjithë.”
Sa i përket zhvillimit të një aktiviteti të madh europian në Tiranë, pasi me këtë stadium FSHF-ja ka kandiduar disa herë për zhvillimin e Superkupës së Europës, Theodhoridhis thekson: “Pasi të përfundojë stadiumi, ne do të bashkëpunojmë me Federatën Shqiptare për të vendosur se çfarë aktiviteti mund të zhvillojmë këtu. Nga sezoni 2020-2021 do të kemi një aktivitet të ri klubesh, e për më tepër kemi disa aktivitete në nivel përfaqësuesesh, që edhe Shqipëria mund të jetë pjesëmarrëse”, – theksoi më tej zyrtari i lartë i qeverisë europiane të futbollit, Teodor Theodhoridhis. Nuk mungoi dhe një sinjal i mirë për stadiumin e ri të Kukësit që pritet të marrë vëmendjen për ndërtim, megjithëse nisja e punimeve reale për projektin e ri do punë dhe kohë.
Për këtë rast foli vetë kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. “Kemi filluar punën për stadiumin e ri të Kukësit, – theksoi ai, – dhe do të shohim bashkë me UEFA-n se çfarë projektesh janë, për të zgjedhur ndonjë turne që do të ishte në të mirë të futbollit, më tepër sesa rentabël në këndvështrimin financiar.”