AlbanianSport.com 20/12/2018 22:05
ASNN – Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, doli sot në konferencë për shtyp, ku shpalosi objektivat e tij dhe të skuadrës për ndeshjen e radhës në kampionat, atë ndaj Tiranës, në kuadër të javës së 18-të të Kategorisë Superiore, që përkon dhe me javën e fundit të fazës së dytë të kampionatit, pra mbylljen e gjysmës së parë të sezonit. Kjo ndeshje do të luhet në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet në orën 16:30 të së premtes. Daja u ka kujtuar të gjithëve se Tirana nuk e meriton vendin që ka aktualisht në renditje, pasi është paraqitur mirë por nuk ka marrë atë që meritonte nga loja e bërë.
Megjithatë, pavarësisht respektit për skuadrën 24-herë kampione, trajneri kryeqytetas i skuadrës vlonjate konfirmoi se vinte në këtë ndeshje me qëllimin e vetëm për t’i dhënë fitoren Flamurtarit të tij. “Kemi përballë një kundërshtar si Tirana që pikët e marra nuk tregojnë nivelin e tyre, – u shpreh që në fillim të konferencës për shtyp trajneri Ilir Daja, – ata kanë prodhuar lojë dhe nuk nisemi nga pozicioni që kanë në tabelë. Do e vlerësojmë maksimalisht, pasi janë klubi më i titulluar në vend. Me aq sa kam mundur ta ndjek, besoj se Tirana meriton më shumë nga sa ka në tabelën e klasifikimit.”
“Ne vijmë pas dy fitoreve radhazi, por futbolli është i tillë që sapo mbaron një ndeshje duhet të ruash të njëjtin ritëm nëse do të shkosh drejt objektivave të vendosura, – vijoi më tej trajneri i skuadrës vlonjate. – Ekipet ndryshojnë nga java në javë, jo më nga një faze, siç e njoh unë Memën, më njeh edhe ai. Kjo nuk ka të bëjë me faktin që kemi punuar bashkë. Gjërat evoluojnë, çdo ekip ka problemet dhe armët e forta. Nuk ka rëndësi shumë njohja mes njëri-tjetrit, por leximi i lojës gjatë zhvillimit të saj.” Më pas Daja u ndal tek problemet e skuadrës së tij.
Probleme që kanë ardhur nga mungesat e shumta për shkak dëmtimsh por edhe harmonizimin e elementëve. “Gjatë kësaj periudhe, problematika jonë ka qenë fakti që nuk e kemi pasur grupin të plotë, – pohoi trajneri që ka nxjerrë “kampion” Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun. – Do futemi edhe nesër ne fushë me kontingjentin jo të plotë, – vijoi Daja. Shpesh lojtarët kanë sakrifikuar dhe kanë luajtur jo në gjendjen më të mirë. Jemi mësuar me këtë gjë, as nesër nuk do e kemi të plotë. Mungon Veliu, por edhe Bushiç me shumë mundësi nuk do të jetë.”
“Ata që kemi kanë shumë eksperiencë, sidomos në sulm ku janë Alvesh, Torasa e Kale. Nëse do mbështeten mirë, atëherë do ta bëjnë më të lehtë mungesën e Bushiç, – vijoi më pas ai, – kemi kohë për të qenë të gjithë bashkë. Problematika jonë kryesore ka qenë se nuk kemi qenë me ekipin e plotë. Shpresojmë të jemi në vazhdimësi, pasi jo vetëm rritet rivaliteti, por edhe shprehim potencialin tonë në fushë dhe të kënaqim tifozët me paraqitjen e bërë. Nuk kënaqem me barazimin. Nesër, si në çdo ndeshje do të futemi për të marrë 3 pikët, pavarësisht se e di që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.”
Duket qartë që trajneri i Flamurtarit nuk i aka besën ish-kolegut të tij tek klubi vlonjat, pra Ardian Memës, dhe po merr masa që të evitojë ndonjë të papritur në aspektin taktik, për t’i bërë ballë furisë së Tiranës, e cila do të luajë në këtë ndeshje gjithçka për gjithçka.