AlbanianSport.com 20/12/2018 17:30
ASNN – Agjencia Botërore e Anti-Dopingut, (WADA), do të dërgojë një ekip javën e ardhshme për të marrë të dhënat nga një laborator anti-dopingu në kryeqytetin e Rusisë, Moskë. Kjo është një kërkesë kyçe për rikthimin me të drejta të plota të Agjencisë Ruse të Anti-Dopingut (RUSADA) në gjirin e saj.
Ekipi i përbërë prej 5 personash do të udhëtojë në Moskë të hënën “për të hyrë në Sistemin e Menaxhimit të Informacionit të Laboratorit (LIMS) dhe të dhënat bazë të tij, siç kërkohet nga vendimi i komitetit ekzekutiv të WADA të 20 shtatorit”, – bëri të ditur WADA. Gishti i është drejtuar një laboratori në Moskë, i cili sipas një raporti të WADA-s, dyshohet se po manipulonte analizat e dopuara të atletëve rusë, i sponsorizuar nga shteti.
Deri më 31 dhjetor 2018, laboratori duhet të dorëzojë të dhënat që disponon ose rrezikon që RUSADA të pezullohet përsëri. Drejtori i përgjithshëm i WADA-s, Olivier Nigli tha: “Pas një takimi fillestar muajin e kaluar midis WADA dhe autoriteteve publike ruse, ne jemi duke u përgatitur për misionin e plotë teknik për të pasur qasje në Laboratorin e Moskës”, – tha ai.
“Por edhe të dhënat përkatëse, në përputhje me kushtet e rrepta për rikthimin e RUSADA-s. Të dhënat e papërpunuara janë pjesa e mbetur e enigmës që do të plotësojë bazën e kopjuar që tashmë është në zotërimin e WADA dhe ndihmon në përfundimin e hetimeve”, – përfundoi kreu i organizmit që qeveris luftën kundër dopingut në botë.