AlbanianSport.com 19/12/2018 22:05
ASNN – Botërori i Klubeve, Gareth Bejl mposht i vetëm Kashima Entllërs dhe çon Realin në finale me Al-Ainin. Goli i Shoma Doit për skuadrën japoneze të Kashima Entllërs në minutën e 78-të, i vlejti skuadrës së tij vetëm për statistikë, pra ishte një gol nderi, pasi ata u mposhtën nga Reali i Madridit 3-1. Kjo ndeshje e luajtur në kuadër të Botërorit të Klubeve, ishte gjysmëfinalja e dytë e këtij turneu dhe falë fitores, skuadra spanjolle u kualifikua në finale.
Atje ku do të gjejë skuadrën tjetër, Al-Ainin, e cila kishte eliminuar një ditë më parë në gjysmëfinale fituesit e kupës “Libertadores”, River Plejtin. Heroi i takimit për Realin ishte Gareth Bejli, i cili realizoi të 3 golat e “Los Blancos”. Uellsiani e realizoi golin e parë të takimit në minutën e fundit të pjesës së parë, ndërsa shënoi në pjesën e dytë dy gola shumë të shpejtë në minutën e 53-të dhe 55-të, duke siguruar kalimin e kampionëve të Evropës në finale e madhe të Botërorit të Klubeve.
Kjo veprimtari që po zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ishte pikërisht një skuadër arabe e këtij vendi, kampionia në fuqi, Al-Aini, e cila mundi pas goditjeve nga pika e bardhë e 11-metërshave River Plejtin pas një ndeshje të mbyllur në barazim 2-2, që kishte siguruar një ditë më parë finalen. Kështu që finalja e madhe e Botërorit të Klubeve do të luhet më 22 dhjetor, në orën 17:30. Në këtë turne ka trofe (medalje bronzi) për vendin e tretë dhe beteja për këtë pozicion do të luhet midis skuadrës së River Plejtit dhe asaj japoneze të Kashima Entllërs, po më 22 dhjetor 2018, por në orën 14:30.