AlbanianSport.com 19/12/2018 19:20
ASNN – Shkarkohet Murinjo, Pogba me shokë ia marrin këngës e valles në dhomat e zhveshjes. Duket diçka e tepruar por është e vërtetë. Në momentin që lojtarët e Mançester Junajtid mësojnë se klubi ka shkarkuar Zhoze Murinjon, shpërthejnë në ovacione, ia marrin këngës dhe valles dhe, natyrisht, në krye u prin mesfushori francez Pol Pogba.
Është gazeta e njohur britanike “The Mirror”, e cila i referohet një burimi brenda klubit, dhe zbulon se, kur drejtori sportiv Ed Uduërd ka shkuar në mjedisin ku rrinin lojtarët dhe u ka marrë një mendim nëse duhej të rrinte apo jo trajneri Hoze Murinjo. Dhe përgjigja ka qenë dramatike. Vetëm një lojtar serb, Matiç, si dhe belgu Romelu Lukaku kanë qenë në anën e trajnerit dhe kanë shprehur dëshirë që portugezi të qëndrojë.
Të gjithë lojtarët e tjerë kanë dhënë përgjigje negative, pra kërkonin që Murinjo të mos ishte trajner i “Djajve të kuq”. Dhe nuk ka vonuar shumë minuta dhe erdhi përgjigja e shumëpritur. Gjigandja angleze kishte vendosur të paguante dëmshpërblim 25 milionë Euro për të prishur në mënyrë të njëanshme kontratën dhe kësisoj Zhoze Murinjo ishte shkarkuar.
Menjëherë më pas në dhomat e zhveshjes ka plasur kënga dhe vallja, ku janë përfshirë të gjithë lojtarët. “The Mirror” shkruan se kjo ishte një festë e vërtetë, sikur Mançester Junajtid të kishte fituar Ligën e Kampioneve.