AlbanianSport.com 19/12/2018 12:55
ASNN – Elham Kastrati është një tjetër “gardian” shqiptar që po luan në nivel të lartë dhe po merr vëmendjen e shtypit italian. Ai është pjesë e Peskarës në Serinë B italiane, dhe në këtë sezon është aktivizuar në 4 ndeshje, nga të cilat 2 i ka fituar dhe 2 i ka humbur. Në këto katër takime ka pësuar 6 gola, por asnjërin për faj të tij. Kastrati ishte në fushë dhe në humbjen që Peskara pati me Veronën në ndeshjen e fundit, një humbje 3-1 që solli jo pak shqetësim në radhët e stafit teknik dhe drejtuesve të klubit.
Por ndërsa të gjithë kanë marrë kritika, Kastrati është përjashtuar nga kritikat, përkundrazi, ka marrë vlerësim të lartë për paraqitjen e tij, sepse shpëtoi skuadrën nga një disfatë e turpshme e në shifra akoma më të thella. E përditshmja e mirënjohur sportive italiane, “Gazzetta Dello Sport” e ka vlerësuar atë me notën 7, duke e quajtur lojtarin më të mirë të ndeshjes. “Është i vetmi nga Peskara që përpiqet të shmangë katastrofën”, – shkruan e përditshmja sportive në fjalë.
“Pret gjithçka që mundet dhe shpesh bëhet akrobat e madje lojtar hokei, – vijon analiza e saj të pas ndeshjes, -. Nëse nuk do të ishte ai në portë Peskara do të kishte pësuar shumë më tepër gola.” Nota 7 për Kastratin tregon diferencën e madhe që ai kishte me lojtarët e tjrë të ekipit, që morën nota të dobëta, përfshi dhe mesfushorin e Kombëtares, Ledian Memushaj, që mori notën 5.5. Mbetet të shihet a do ta ketë në vëmendje Kristian Panuçi portierin e ri Kastrati.
Portier i cili ka parametra në rritje dhe mund të jetë një mundësi e natyrshme zgjedhjeje për kuqezinjtë, pavarësisht se në këtë moment Berisha dhe Strakosha janë të padiskutuar.