AlbanianSport.com 18/12/2018 22:05
ASNN – Në kuadër të Ligës Ballkanike, Teuta u përplas të martën në mbrëmje me bullgarët e Beroes, një prej skuadrave pretendente të këtij sezoni. Dhe durrsakët pësuan disfatë me shifrat 108-65. Ishte një takim që e dominoi Beroe nga fillimi e deri në fund, duke mos i dhënë mundësinë Teutës që të shprehet si duhet në këtë takim. 10-minutëshi i parë përfundoi me shifrat 32-19 në favor të skuadrës bullgare, e cila tregoi që në këtë pjesë të parë ishte dukshëm superior dhe favorite.
Në 10-minutëshin e dytë durrsakët u përpoqën të baraspeshonin lojën e të konkurronin si të barabartë, duke ia ulur paksa ritmin Beroes, por “Djemtë e detit” e humbën edhe në pjesë me shifrat 26-17. Pra në përfundimin e gjysmës së parë të ndeshjes, Beroe udhëhiqte 58-36, një diferencë që nuk ka nevojë për koment. Në 10-minutëshin e 3-të diferenca u rrit edhe më shumë, sepse fituan bullgarët 28-13, ndërsa në 10-minutëshin e fundit regjistruan shifrat 22-15 dhe krejt ndeshjen 108-65.
Me këtë humbje, Teuta mbetet në vend të 3-të, me 8 pikë, por ka humbur rivalitetin me dy skuadrat bullgare si Beroe në vend të parë me 5 fitore në 5 ndeshje, si dhe ndaj Akademik Bulteks që ka 9 pikë. Po të martën, Blokotehna maqedonase mundi KB bashkimin e Prizrenit me rezultatin 96-70, duke treguar kështu se është cilësisht më lart se dy ekipet shqiptare. Një tjetër ndeshje e luajtur më 12 dhjetor në kuadër të Ligës Ballkanike në basketboll për meshkuj, ishte ajo mes Akademik Bulteks, që mundi ekipin maqedonas të Kozhuvit 88-57.
Liga Ballkanike 2018-2019
Basketboll – Meshkuj
Renditja
Nr. Skuadra N F H Pikë
- Beroe 5 5 0 10
- Akademik Bulteks 99 6 3 3 9
- Teuta 5 3 2 8
- Blokotehna-NB 3 3 0 6
- Kozhuv 5 1 4 6
- KB Bashkimi 5 1 4 6
- Barsi Atirau 3 0 3 3
- KB Z Mobile Prishtina 0 0 0 0