AlbanianSport.com 18/12/2018 16:35
ASNN – Kategoria Superiore mbylli të dielën javën e 17-të të saj, ku rezultati më surprizë ishte humbja e Skënderbeut brenda në Korçë me Luftëtarin. Kjo disfatë solli rënien e Skënderbeut në vend të katërt dhe komplikoi dhe më tej garën në zonën e ftohtë të tabelës, atje ku rivaliteti për mbijetesë është mjaft i fortë. Në fakt, ajo që evidentohet është se dy kryesuesit, Partizani dhe Teuta, me 36 dhe 32 pikë, janë ekipet tipike që fitojnë ndeshjet brenda fushës.
Dhe me të vërtetë, “të kuqtë” e trajnerit Skënder Gega kanë luajtur brenda fushës 9 takime, ku kanë siguruar 7 fitore, 1 barazim e 1 humbje, pra në total nga ndeshjet brenda fushës së vet Partizani ka siguruar 22 pikë. Kurse në fushë të huaj, ekipi i të kuqve kryeqytetas ka luajtur 8 ndeshje, prej të cilave ka fituar 4, ka barazuar 2 dhe ka humbur 2 takime. Në total, nga ndeshjet jashtë fushës së tij Partizani ka siguruar 14 pikë.
Janë pikërisht këto shifra që flasin më mirë për mendësinë e grupit, epërsinë e fushës dhe, njëherësh, pritshmëritë e sezonit. Teuta që mban vendin e dytë ka luajtur 8 ndeshje brenda fushës dhe ka siguruar 5 fitore, 2 barazime e 1 humbje, në total 17 pikë, kurse në nëntë ndeshjet në udhëtim ka marrë 4 fitore, 3 barazime e 2 humbje me 15 pikë të grumbulluara. Pra, statistikat e Teutës janë më të balancuara dhe qëndrueshmëria e javëve të fundit e bëjnë atë pretendente më të fortë se sa Partizani në rrugëtimin për titull.
Skënderbeu i vendit të 4-t ka siguruar brenda fushës së tij 17 pikë (5 fitore, 2 barazime e dy humbje), ndërsa jashtë fushe 13 pikë (4 fitore, 1 barazim, 3 humbje). 3 humbje radhazi në ndeshjet e fundit e kanë prishur ekuilibrin e skuadrës korçare, e cila po përjeton një krizë. Por ka një skuadër që bën dallimin në këta tregues. Është Kukësi i trajnerit Armando Cungu. Dihet që Kukësi nuk ka fushë të vetën në këtë sezon dhe kjo e ka penalizuar jo pak.
Parë në këtë prizëm, Kukësi luan në fushë të huaj gjatë gjithë kohës. Skuadra verilindore është ekipi që ka fituar më shumë në ndeshjet jashtë fushës së tij, pasi në 9 ndeshje të luajtura në udhëtim, verilindorët kanë siguruar 5 fitore, 2 barazime e dy humbje, pra 17 pikë. Kurse në 8 takimet “brenda fushe”, Kukësi ka korrur 4 fitore, 2 barazime e 2 humbje dhe në total 14 pikë. Ku qëndron diferenca? Kukësi është skuadra e vetme e Superiores që ka siguruar më shumë pikë “jashtë fushe” se “brenda fushe”.
Saktësisht, 3 pikë më shumë në udhëtim dhe kjo e bën ekipin kukësian të jetë “mbret” i ndeshjeve që nuk luhen në shtëpi. Ndoshta ky tregues mund të jetë domethënës në dy fazat e tjera të Superiores, që do të kenë ndikim në objektivin madhor për titull. Ekipi që ka më shumë problem në ndeshjet jashtë fushës së tij është Flamurtari i trajnerit Ilir Daja, i cili ka fituar vetëm dy ndeshje jashtë Vlorës, ndërsa brenda në Vlorë plot 6 takime.
Më poshtë jepen pikët e skuadrave që kanë fituar brenda fushe, si dhe jashtë fushës së tyre. Renditja është bërë sipas skuadrave që kanë fituar më shumë pikë në duelet jashtë fushës së tyre.
Nr. Skuadra Pikë brenda Pikë jashtë
- Kukësi 14 17
- Teuta 17 15
- Partizani 22 14
- Skënderbeu 17 13
- Laci 17 12
- Flamurtari 20 8
- Luftëtari 9 7
- Tirana 9 5
- Kamza 8 4
- Kastrioti 7 3