AlbanianSport.com 18/12/2018 15:40
ASNN – Ish-mbrojtësi i Interit dhe Romës, Nikolas Burdizo është emëruar drejtor sportiv i gjigandes argjentinase, Boka Zhunjors. Lajmin është publikuar gjatë një konference shtypi. Ky veprim vjen 3 ditë pasi klubi i Buenos Airesit largoi trajnerin Gijermo Barros Skeloto pas humbjes historike në Kupën “Libertadores” me rivalët e përjetshëm të River Plejtit.
Burdizo filloi karrierën e tij te Boka para se të shkonte në Itali në moshën 23-vjeçare. Atje luajti edhe për ngjyrat e Xhenoa dhe Torinos. “E kam pritur për një kohë të gjatë rikthimin në vendin ku u formova”, – tha Burdizo, tashmë 37 vjeç. Pavarsisht kryesimit të Bokas, klubi vendosi të heqë dorë nga Barros Skeloto, pas humbjes 3-1 përballet Riverit një javë më parë në ndeshjen e dytë finale të Libertadores.
Kjo ndeshje u luajt në Madrid për arsye sigurie. Burdizo, i cili nuk ka përvojë si trajner, ka fituar Botërorin e Nën-20-vjeçarëve me Argjentinën në vitin 2001 dhe medaljen e artë në Lojërat Olimpike të 2004-ës në Athinë. Ai ka luajtur në Botërorin e Gjermanisë në vitin 2006 dhe në atë të Afrikës së Jugut në vitin 2010. Një nga detyrat e tij të para do të jetë gjetja e një trajneri të ri.
“Ne kemi një profil shumë të qartë për trajnerin që kemi nevojë,” – tha ai. Shtypi lokal ka përmendur emra të tillë si ish-trajnerin e Brazilit dhe Çellsit, Luiz Felipe Skolarin, dhe Hoze Pekermanin, ish-trajnerin e Argjentinës dhe Kolumbisë, si zëvendësime të mundshme për Barros Skeloton.