AlbanianSport.com 17/12/2018 16:40
ASNN – Skënderbeu ka reaguar të hënën në mbrëmje me një komunikatë për mediat të postuar në profilin zyrtar të klubit në rrjetin social “Facebook”, duke konfirmuar besimin tek skuadra dhe trajneri Orges Shehi. Ishte një qëndrim i goditur, i ardhur në kohën e duhur, pasi gjatë ditës së sotme në Korçë qarkullonin zëra për shkarkimin e stafit teknik, por edhe një ironi therëse e tifozëve bardhekuq që deklaronin se tani rivalitetin do ta kenë me Maliqin e jo me skuadrat e Superiores. Në qëndrimin e klubit korçar, vihet në dukje besimi ndaj trajnerit Shehi, duke thënë se ai nuk është dorëhequr.
Madje klubi shkon më tej, duke thënë se këto janë qëndrime dashakeqe që ndjellin përçarje, por që klubi e ka situatën nën kontroll. “Të dashur tifozë, sportdashës dhe ndjekës të Skënderbeut, duke marrë shkas nga situata e krijuar, aludimet pa fund të mediave dhe mosbesimin e shfaqur karshi ekipit: Klubi i Futbollit “Skënderbeu” mohon kategorikisht dorëheqjen e stafit teknik me në krye trajner Orges Shehi, i cili ka besimin tonë maksimal për të vijuar punën dhe projektin e klubit”, – thuhet në qëndrimin e Skënderbeut.
“Fatkeqësisht ekziston një tendencë nga qarqe të caktuara mediatike për të përçarë ekipin dhe tifozët duke përfituar nga ky moment i vështirë, – vijon më tej klubi korçar. – Ju sigurojmë se asnjë vendim nuk cenon ecurinë e klubit ndryshe nga çfarë shkruhet. Stafi dhe lojtarët kanë kontrata bashkëpunimi me klubin të cilat janë respektuar dhe do të respektohen në masën 100%. Stafi dhe lojtarët kanë qetësinë e duhur për të punuar dhe për tu rikthyer tek rezultatet pozitive si dhe kanë mbajtur përgjegjësi maksimale për rezultatet negative të arritura gjatë 4 javëve të fundit.”
“Por edhe duke premtuar kalimin e kësaj situate të vështirë. Na vjen keq që me anë të rezultateve negative, kemi krijuar këtë frymë mosbesimi tek tifozët karshi ekipit dhe klubit. Duke kërkuar ndjesë për rezultatet zhgënjyese të javëve të fundit, kërkojmë mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj. Me qetësinë që prej pothuajse një dekade karakterizon klubin tonë dhe duke mbështetur njëri-tjetrin do e kalojmë edhe këtë moment delikat për të vijuar rrugën tonë drejt sukseseve të tjera”, – përfundon klubi korçar qëndrimin e postuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.