AlbanianSport.com 16/12/2018 17:30
ASNN – Flasin shifrat: Tirana s’vuan për gola, problem është mbrojtja e dytë më e dobët e Superiores. Në përfundim të javës së 17-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit , një skuadër mund të shihet me habi për mënyrën se si i pëson golat, ndërkohë që për cilësinë e grupit që ka dhe realizimin, duhej të ishte ndër vendet e para të renditjes. Duket e habitshme, por është e vërtetë, Tirana ka statistika tronditëse.
E pamundur të gjendet në zonën e mbijetesës një skuadër që ka një prej tre sulmeve më të mira në Superiore. Është fakt, vetëm Teuta dhe Skënderbeu kanë repart sulmues më efikas se Tirana, por diferencën në sensin negativ për bardheblutë e bën mbrojtja, e cila ka pësuar 21 gola. Pas Kastriotit, kjo është mbrojtja më e dobët e Kategorisë Superiore. Vetëm Kastrioti ka pësuar më shumë, plot 29 gola, kurse Tirana ka pësuar 21 gola.
Rivalët për mbijetesë, të tillë si Kamza dhe Luftëtari, kanë pësuar respektivisht 20 dhe 18 gola. Tirana ka shënuar në 17 javë garë 18 gola, po aq sa Partizani kryesues, por ndryshe nga rivali historik kryeqytetas që ka pësuar vetëm 8 gola, dhe që ka një golaverazh pozitiv +10, Tirana ka shënuar 18 dhe ka pësuar 21 duke pasur bilanc negativ -3. Pra shifrat flasin vetë, pasi Partizani është në krye falë mbrojtjes më të mirë, ndërsa Tirana, në të njëjtën kuotë golash të shënuar si Partizani, ndodhet në zonën e ftohtë.
Kjo për shkak të pësimit të madh të golave, 13 gola më shumë të pësuar krahasuar me të kuqtë kryeqytetas. Tirana shënon më shumë gola se Kukësi, madje po aq sa Skënderbeu dhe ia kalon vetëm Teuta që ka shënuar 20 gola, por bardheblutë pësojnë dyfishin e rivalëve të kreut. Nëse mbrojtja e Tiranës do ta kishte bërë si duhet detyrën e saj, sot bardheblutë e trajnerit Ardian Mema duhej të ishin në 5 skuadrat që lakmojnë pjesëmarrjen në Ligën e Evropës.
Edhe specialistët kanë lëshuar alarmin prej ditësh, duke thënë se qendërmbrojtja e Tiranës është katastrofë dhe sistemi mbrojtës i saj në tërësi është një “rrjetë e shpuar”, pa kurrfarë përgjegjësie dhe që duhet demaskuar. Duhet parë pse mbrojtja e Tiranës pëson kaq shumë gola, një mungesë e madhe të cilën vetë trajneri Mema e ka quajtur me togfjalëshin “mbrojtje e papërgjegjshme”. Për të kuptuar se nuk është faji i krejt skuadrës e aq më pak i trajnerit Mema, duhet kujtuar se falë skemës taktike trajneri e ka nxjerrë ekipin tek goli dhe është fakt që Tirana shënon rregullisht.
Por mbrojtja është mangësia e saj më e madhe. Pikërisht ky repart po e dëmton Tiranën dhe po rrezikon rënien nga kategoria. Është e papranueshme për një skuadër me kaq histori, me emër të madh dhe 24-herë kampione e Shqipërisë të pësojë kaq shumë gola, me një lehtësi të habitshme.
Golaverazhi i 10 skuadrave të Kategorisë Superiores
të renditura sipas klasifikimit në tabelë:
Nr. Skuadra Gsh-Gp Diferenca e golave
- Partizani 18-8 +10
- Teuta 23-12 +11
- Kukësi 16-9 +7
- Skënderbeu 20-12 +8
- Laçi 15-12 +3
- Flamurtari 15-11 +4
- Luftëtari 14-20 -6
- Tirana 18-21 -3
- Kamza 8-20 -12
- Kastrioti 11-33 -22