AlbanianSport.com 15/12/2018 21:25
ASNN – Partizani ka korrur të shtunën fitoren e 7-të në këto 10 javë të Superligës së Basketbollit të meshkujve, dhe mban vendin e dytë me 16 pikë, dy më pak sesa kampionia simbolike e dimrit, Goga Basket. Takimi Partizani-Vllaznia u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit, që njihet si Superliga, ka luajtur të shtunën 3 ndeshjet e javës së 10-të.
Dhe përballja më e spikatur ka qenë ajo që u zhvillua në kryeqytet, midis Partizanit dhe Vllaznisë. Kjo ndeshje, që u luajt në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, është mbyllur me fitoren e të kuqve me shifrat 82-75. Në fakt, Vllaznia erdhi në këtë ndeshje pasi kishte gjetur, pas 12 javësh kampionat, fitoren e parë, kur mundi fundjavën e shkuar në Shkodër kampionen në fuqi Tiranën.
Por Partizani, që ka kryesuar deri javën e shkuar kur u mund në kryeqytet nga Goga Basket ka bërë dallimin në parket, edhe pse shkodranët kanë bërë qëndresë deri në fund. Skuadra e drejtuar nga trajneri Arben Fagu e ka fituar 10-minutëshin e parë 22-13, ndërsa nuk e ka ulur aspak ritmin në pjesën e dytë, duke e fituar atë 28-18 dhe duke shkuar kështu në pushimin e madh midis dy gjysmave të takimit në kryesim me shifrat 50-31.
Vllaznia, e drejtuar nga trajneri kroat Neven Plantak, do të dalë më e vendosur nga dhomat e zhveshjeve dhe 10-minutëshi i 3-të do të mbyllet në barazim 21-21, por Partizani do të vazhdojë ta ruajë epërsinë 19-pikëshe, në shifrat 71-52. Shkodranët do të vazhdojnë të luftojnë edhe në 10-minutëshin e 4-t, të cilin e fitojnë, madje bindshëm 23-11, por as kjo nuk mjafton për të shmangur humbjen, me shifrat 75-82. Partizani korr kështu fitoren e 7-të në këto 10 javë kampionat.
Të kuqtë mbajnë vendin e dytë me 16 pikë, dy më pak sesa kampionia simbolike e dimrit, Goga Basket, e cila më herët mundi në fushën e vet Kamza Basket me shifrat 117-90.