AlbanianSport.com 15/12/2018 17:15
ASNN – Laçi siguroi një fitore me vlera të mëdha ditën e shtunë, pasi në kuadër të javës së 17-të të Kategorisë Superiore mundi Tiranën me rezultatin 2-1. Ishte një ndeshje ku Tirana pati një nisje mjaft të dobët dhe brenda 30 minutash pëson dy gola, një “sëmundje” të cilin nuk po e shmang dot, sepse golat që pëson Tirana përsëritën në mënyrë të shëmtuar në çdo ndeshje.
Për kurbinasit shënuan Shtubina dhe Fangaj, ndërsa Tirana shënoi me Hasanin në pjesën e dytë. Në të vërtetë Tirana e dominoi në tërësi takimin, gjë që e pranoi dhe vetë trajneri Besnik Prenga, i cili korri fitoren e parë në krye të skuadrës kurbinase në kampionat. Një nisje me fitore për Prengën është domethënës për sfidat e ardhshme, por trajneri pranoi se skuadra e tij luajti mjaft dobët dhe nuk meritonte të fitonte.
Edhe vetë pas ndeshjes, ai tha se fitorja e Laçit mund të quhet “fati i budallait”, duke nënkuptuar fillestarin që ishte vetë ai. Ndeshja në tërësi ishte e bukur, kishte rivalitet, por Tirana, edhe pse dominoi, nuk ia doli të shënojë më shumë se një gol e për pasojë doli e humbur nga kjo përballje, një disfatë që e lë në vend-numëro, me 14 pikë, tashmë e kërcënuar nga Luftëtari që do të përballet të dielën me Skënderbeun.
Sa i takon Laçit, fitorja e sotme me vlerë trepikëshe e ngjit në vend të katërt me 29 pikë, po kaq sa Teuta, duke qenë në garë plotësisht për kreun, një ecuri mjaft e mirë një skuadër që ka ndërruar disa trajnerë brenda pak muajsh.
Kategoria Superiore
Java e 16-të
Të premten, 14 dhjetor 2018:
Partizani – Kukësi 0-0
Të shtunën, 15 dhjetor 2018:
Laçi – Tirana 2-1
Flamurtari – Kamza 1-0
Të dielën, 16 dhjetor 2018:
Kastrioti – Teuta (14:00)
Skënderbeu – Luftëtari (17:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Kukësi 17 9 4 4 16-9 31
- Partizani 17 11 3 3 18-8 36
- Skënderbeu 16 9 3 4 18-9 30
- Teuta 16 8 5 3 19-12 29
- Laçi 17 8 5 4 15-12 29
- Flamurtari 17 8 4 5 15-11 28
- Tirana 17 3 5 9 18-21 14
- Luftëtari 16 4 1 11 11-18 13
- Kamza 17 3 3 11 8-20 12
- Kastrioti 16 3 1 12 11-29 10