AlbanianSport.com 15/12/2018 16:25
ASNN – Kosova ia del edhe në turneun e Guongzhusë në Kinë, sigurojnë pikë të vlefshme për kualifikimin për në “Tokio 2020”. Xhudo po i sjell Kosovës fitore të mëdha në rang ndërkombëtar, dëshmuar me triumfe spektakolare të vajzave dhe djemve në turnetë e rëndësishëm ndërkombëtar. Xhudistët e Kosovës ishin pjesëmarrës së fundmi në Turneun e Mjeshtërave të Xhudos “World Judo Masters”, një veprimtari që po mbahet në Guongzhu të Kinës dhe ka vlerë kualifikimi për në Olimpiadën e Tokios të vitit 2020.
Në këtë veprimtari, Kosova u përfaqësua me Akil Gjakovën nga meshkujt, si dhe me Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën nga femrat. Me rezultatet e së shtunës, xhudistët kosovarë pothuajse siguruan pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Japonisë. Xhudistët shqiptarë të Kosovës janë në mesin e 16 sportistëve më të mirë në botë të këtij sporti me Krasniqin që sot fitoi medaljen e artë dhe i ka shtuar edhe 1800 pikë olimpike vetvetes pas këtij suksesi. Nora Gjakova siguroi medaljen e argjendtë dhe tani ka 1260 pikë olimpike.
Ndërsa Akil Gjakova shtoi edhe 468 pikë të tjera dhe ndihet gjithashtu një pretendent për të shkuar në Olimpiadë. Këtu nuk përfshihet Majlinda Kelmendi, e cila është ajka e xhudos së Kosovës dhe besohet se mund ta sigurojë kualifikimin direkt në Olimpiadë me një vend nderi në Evropianin e ardhshëm ose në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.