AlbanianSport.com 15/12/2018 15:35
ASNN – Vllaznia ka qenë pranë një fitoreje në takimin e javës së 13-të në fushën e vet përballë Besëlidhjes, por një gol i miqve në minutën e 3-të shtesë ka bërë që sfida që u luajtur në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar të mbyllet në barazim 1-1. Në fakt, përtej një nisjeje më të mirë të Vllaznisë, janë miqtë që rrezikojnë me një goditje në minutën e 6-të, por që devijohet jashtë kuadratit.
4 minuta më pas, Hajdari nuk arrin të përfitojë nga pasiguria e portierit të lezhjanëve, Bajri brenda zonës, ndërsa aksioni tjetër i shkodranëve do të vijë vetëm në minutën e 20-të, kur goditja e kapitenit Gilman Lika do të ndalet në fund nga gardiani i portës mike. Një aksion i gjatë në zonë i skuadrës vendase nuk do të sjellë gol në minutën e 25-të, ndërsa 5 minuta më pas, miqtë janë pranë shkaktimit të një autogoli. Janë minuta të mira për Vllazninë që rrezikon menjëherë më pas me një këmbëngulje të gjatë në zonë.
Por mbrojtja lezhjane largon në njëfarë mënyre rrezikun. Përkundër rrjedhës së lojës, është Besëlidhja që ka një rast të mirë për të shënuar në minutën e 35-të, por Hoxha nuk arrin të mposhtë portierin Sherri pas një aksioni të bukur të skuadrës së tij. Vllaznia kundërpërgjigjet dhe në minutat e fundit të pjesës së parë rrezikon në dy raste, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Kësisoj, pjesa e parë mbyllet e bardhë.
Por goli i Kamarasë në minutën e 93-të, i mohoi fitoren skuadrës shkodrane, që udhëhiqte me rezultatin 1-0, teksa Gocaj në minutën e 56-të u treguar i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit, duke kaluar përkohësisht në epërsi skuadrën e Likës. Duhet theksuar se Vllaznia e ka gjetur edhe një gol të dytë, por ai u anulua padrejtësisht nga gjyqtari, teksa përsëritjet televizive treguan se topi i pasuar për autorin e golit, Likën, nuk kishte dalë jashtë vijave kufizuese.