AlbanianSport.com 14/12/2018 23:55
ASNN – Uzuni 90 minuta shkëlqim në barazimin e Lokomotivës, Cikalleshi vetëm 8 minuta në barazimin e Gëztepesë. Paraqitje të mira për lojtarët e Kombëtares kuqezi të premten me skuadrat e tyre në kampionatet e ndryshme evropiane. Kështu, Sokol Cikalleshi luajti sot vetëm 8 minuta në takimin që skuadra e tij Gëztepe barazoi 0-0 me skuadrën e Bursasporit.
Në fakt, trajneri i tij e aktivizoi në fund për të ndryshuar rrjedhën e rezultatit, por sulmuesi kavajas nuk ia doli, edhe pse lëvizi mirë në fushë në ato 10 minuta në total që luajti në fundin e takimit. Ndërkohë, në Kroaci vijon të shkëlqejë Myrto Uzuni. Ditën e sotme sulmuesi i krahut i përfaqësueses kuqezi ishte titullar dhe luajti një ndeshje të plotë 90-minutëshe në takimin që skuadra e tij Lokomotiva e Zagrebit barazoi 2-2 me NK Goricën.
Uzuni bëri një tjetër ndeshje të madhe në kampionatin elitar kroat. Sot nuk shënoi, por ishte një nga më të mirët në fushë. Falë lojës së tij Lokomotiva e dominoi takimin dhe meritonte të fitonte, por Gorica rivale u tregua pragmatiste në veprimet e saj, duke marrë maksimumin me rastet e paraqitura. Në këtë ndeshje Uzuni ishte fare pranë golit në pjesën e parë, por topi i gjuajtur prej tij me mjaft forcë u ndal nga shtylla horizontale.
Shqiptari tjetër i Lokomotivës së Zagrebit, Lirim Kastrati, u fut në fushë si zëvendësues në minutën e 84-t, për të ruajtur epërsinë (kur ai u fut në fushë Lokomotiva po fitonte 2-1), por pa pasur mundësi të mëdha të bëjë kthesë në favor të skuadrës së tij, për më tepër që Gorica në fund të takimit i barazoi shifrat në 2-2.