AlbanianSport.com 13/12/2018 19:35
ASNN – Ka zgjatur për disa vjet, por çdo gjë e ka një fund, edhe pse me kosto. Eugert Zhupa është shkëputur nga skuadra e “Wilier Triestinës”, por nuk është tërhequr, sepse pret një kontratë me një ekip irlandez. Kështu çiklisti shqiptar Eugert Zhupa nuk do të tërhiqet nga sporti, ashtu sikurse ishte përfolur kohët e fundit.
Ka qenë vetë 28-vjeçari, kampion i shumëfishtë i Shqipërisë, ai që ka konfirmuar se për të viti 2018 ka qenë i vështirë, por kjo nuk do ta ndalë të garojë. Në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, ai ka konfirmuar se e ka mbyllur me skuadrën italiane dhe se në 2019-ën do të garojë me një skuadër irlandeze, emri i së cilës nuk dihet ende.
Zhupa ka nisur edhe fazën përgatitore me skuadrën e tij të re, në Portugali, me shpresën që viti 2019 të jetë shumë herë më i mirë se ai që po mbyllet. Sipas profilit të tij në “Facebook”, mësohet se çiklisti shqiptar nuk do të marrë pjesë në Xhiron e Italisë, një nga 3 turnetë më të mëdhenj në botë në sportin e çiklizmit.
Aty ku ai ka qenë shpesh protagonist në 4 edicionet e fundit. Por Zhupa do të vazhdojë të jetë protagonist në gara të tjera të mëdha. Duhet theksuar se shqiptari ka bërë një punë të jashtëzakonshme me skuadrën e tij, duke spikatur në shumë gara ndërkombëtare, por gjithmonë ka vuajtur mundësinë për të qenë ai pretendenti që e meritonte.