AlbanianSport.com 13/12/2018 17:45
ASNN – Lorik Cana hedh hapin e madh si drejtues, nis etapën e dytë të kursit për Drejtor Sportiv. Pas mbrëmjes gala të para pak ditëve, ku Lorik Cana prezantoi filmin autobiografik “Lorik”, si dhe prezantoi projektin e tij të madh “Lorik Cana 5”, një fondacion për zhvillimin e futbollit tek fëmijët, tashmë ai po ndjek kursin e Federatës Shqiptare të Futbollit për t’u bërë drejtor sportiv.
Në fakt, ish-kapiteni i Kombëtares, kishte disa ditë që e kishte nisur kursin, por së fundmi ai është parë të ndjekë rregullisht seancat për të mundësuar përmbylljen e këtij kursi dhe marrjen e licencës, e cila do të mundësonte që Cana të nisë më pas projektin e tij për të marrë drejtimin e një klubi në Evropë. Edhe pse ai nuk e ka përmendur asnjëherë emrin e klubit që do të drejtojë, bëhet fjalë për një skuadër zvicerane në kufi me Francën, me të cilën kosovari Lorik Cana ka lidhje.
Në fakt, është folur më parë që Cana do ta blejë këtë klub dhe më pas do ta drejtojë atë në rrugëtimin e suksesit, por ende nuk është bërë e ditur nëse do të jetë pronar i një klubi apo drejtor sportiv i tij. Fakti që kapiteni i Shqipërisë në “Euro 2016”-ën në Francë po tenton ta përmbushë sa më shpejt kursin e licencimit si drejtor sportiv nga FSHF, është domethënës për vazhdimësinë e projekteve të tij.