AlbanianSport.com 12/12/2018 21:40
ASNN – Një skuadër shqiptare po merr pjesë në Kupën e Evropës, në turin e dytë eliminator. Është fjala për skuadrën e Kosovës, Prishtina, që po nderon koshin shqiptar në rang klubesh. Në kuadër të grupit I të fazës së dytë të “FIBA Europe Cup”, Prishtina u mund të mërkurën në mbrëmje në Gjermani nga skuadra e Oliver Vurzburg, me rezultatin 95-77.
Ishte një ndeshje e madhe e Prishtinës në fushën e klubit gjerman, në një pallat sporti ku kishte shumë tifozë shqiptarë, me flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës, por në fund të takimit, edhe pse mjaft i rivalizuar, fituan gjermanët. Gjysma e parë e ndeshjes ishte tërësisht e balancuar, ku 10-minutëshi i parë u fitua nga gjermanët 24-20, ndërsa i dyti nga Prishtina 18-16.
Pra në pushimin e madh të takimit rezultati ishte mjaft i ngushtë 40-38 për Vurzburgun.
Në 10-minutëshin e tretë gjermanët fituan 28-23, një diferencë jo shumë e madhe,e por që detyroi Prishtinën të hapej, të kërkonte medoemos përmbysjen por që s’ia doli dot. Gjermanët e administruan mjaft mirë epërsinë dhe, në kundërsulm, duke përdorur skema të mira taktike dhe efikasitetin.
Ata ia dolën ta fitonin 10-minutëshin e fundit 27-16 dhe krejt ndeshjen 95-77. Me këtë fitore ata marrin kryesimin e grupit I, ndërkohë që Prishtina shpreson të përmbysë në sfidat e tjera, edhe pse kjo do të jetë mjaft e vështirë. Ndeshja tjetër në grupin I, ajo mes Szolno Olaj të Hungarisë dhe Karshijaka e Turqisë u mbyll me fitoren e turqve 74-70. Këto ishin duelet e para në grup, të tjerat vijnë më pas.
Oliver Vurzburg – Prishtina 95-77
(24-20, 16-18, 28-23, 27-16)
Renditja:
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Vurzburg 1 1 0 2
- Karshijaka 1 1 0 2
- Prishtina 1 0 1 1
- Szolno Olaj 1 0 1 1