AlbanianSport.com 12/12/2018 16:35
ASNN – Krahas trajnerit Skënder Gega, në konferencën e sotme për shtyp të Partizanit, doli dhe sulmuesi i talentuar Rubin Hebaj. Shkodrani foli për disa aspekte, kryesisht ato të pragndeshjes me Kukësin, por edhe për vazhdimësinë e tij me të kuqtë kryeqytetas. Edhe pse ka kontratë deri në fund të edicionit, Hebaj nuk e fshehu se duhej të kishin nisur negociatat për rinovim, ose të paktën bisedime që ai të ndihej i motivuar dhe i rëndësishëm, pastaj tjetër gjë nëse arrin mirëkuptimin me klubin kryeqytetas në aspektin financiar.
“Unë kam ardhur për një vit dhe nëse drejtuesit duan të diskutojmë, do të diskutojmë, – u shpreh Hebaj, – deri më tani nuk ka asgjë. Në fillim kisha pak presion, por u përshtata shpejt dhe nuk hasa shumë vështirësi më vonë. Nuk është humbje besimi kur mendon se nuk do të luash por është mendim kur je në stol. Edhe nëse futesh vetëm 5 minuta, mund të shënosh 2 gola. Unë hyra dhe shënova”, – shtoi sulmuesi me perspektivë i Partizanit, i konsideruar lojtar që mund të kapë shumë shpejt edhe nivelin e skuadrës kombëtare.
Hebaj nuk e fsheh se një ardhje e Vasil Shkurtajt në merkaton e dimrit në radhët e Partizanit do të sillte rivalitet akoma më të madh dhe ai mund të vihej në vështirësi. Por talenti shkodran tha se kjo gjë do ta motivonte më shumë për t’u stërvitur akoma më tepër e të besonte se do të ishte i rëndësishëm për trajnerin dhe ekipin.“Nuk më vjen keq pasi futbolli kështu është ka konkurrencë në ekip, – theksoi shkodrani i skuadrës së kuqe të kryeqytetit. – Edhe nëse vjen ai, nuk ka problem pasi të gjithë luftojnë për të luajtur. Edhe nëse nuk vjen është e njëjta gjë dhe të them të drejtën nuk ndihem keq.”
Ashtu si trajneri Gega, edhe Hebaj i ka dy fjalë për tifozët: “Na vjen keq pasi janë mbështetje e madhe. Kudo të jesh me tifozë, është atmosferë e mirë ndërsa është e vakët kur nuk ka tifozë. Shpresoj t’i kënaqim tifozët që na shohin nga jashtë këtë takim.” Hebaj është rritur në aspektin profesional dhe ndihet mirë në raport me grupin dhe di të përshtatet me shokët në çdo lloj skeme. “Varet nga trajneri se si jepen detyrat taktike apo teknike për specifikën e ndeshjes, – vijoi ai në konferencën e sotme për shtyp, – për të gjithë lojtarët flas mirë pasi janë shokët e mi.”
“Me të gjithë kombinohem mirë pasi mundohen të japin më të mirën, – shtoi shkodrani. – Kushdo që të luajë shkon mirë me shokun.” Dueli me Kukësin e motivon Hebajn, ai beson se Partizani mund ta thellojë diferencën me rivalin këtë javë. “Ne jemi më të qetë se Kukësi pasi jemi 5 pikë para, – theksoi më pas talenti i skuadrës së kuqe, – shpresoj të fitojmë dhe ta mbajmë distancën kaq. Shpresoj mos të jem vetëm ndaj mbrojtësve të Kukësit por të kem edhe mbështetjen e shokëve. Kanë vite në Superiore dhe i respektoj. Do të japin më të mirën dhe unë do të mundohem të jap më të mirën.”
Në fund, një mendim për zgjedhjen mes golave në ndeshjet e mëdha apo vazhdimësisë. “Do të doja vazhdimësi. Realisht është bukur të shënosh në derbi, por do të doja më shumë të shënoja në mënyrë të vazhdueshme sesa në një ndeshje”, – përfundoi Hebaj.