AlbanianSport.com 11/12/2018 17:45
ASNN – Është hedhur në Nion të Zvicrës shorti i Eliminatoreve të Evropianit të Nën-21-vjeçarëve dhe ai ka dhuruar një derbi “gjithëshqiptar”. Në grupin e 3-të të Eliminatoreve për Evropianin e kësaj grupmoshe, dy skuadrat përfaqësuese të Nën-21-vjeçarëve, ajo e Shqipërisë dhe Kosovës, do të luajnë kundër njëra-tjetrës. Goglat e Evropianit të 2021-shit për Nën-21-vjeçarët tregohen të pamëshirshme, duke vënë Shqipërinë dhe Kosovën në të njëjtin grup.
Në grupin e 3-të të Eliminatoreve për Evropianin e kësaj grupmoshe, do të ketë një përplasje gjithëshqiptare. Kështu, dy skuadrat përfaqësuese të Nën-21-vjeçarëve, ajo e Shqipërisë dhe Kosovës, do të luajnë kundër njëra-tjetrës. Në një grup me 6 ekipe, për ironi të fatit, njëlloj si në Eliminatoret e Evropianit 2020 për përfaqësueset e të rriturve, edhe këtë herë në grup Shqipëria do të ketë Turqinë dhe Andorrën, por me ndryshimin se dy skuadrat e tjera elitare.
Që janë njëherësh pretendente për kalimin e turit dhe kualifikimin, janë Anglia dhe Austria. Në Eliminatoret e Evropianit të kësaj grupmoshe marrin pjesë skuadrat e kontinentit, që janë ndarë në 9 grupe. Sidoqoftë, këtë short asnjë nga trajnerët e përfaqësueseve të Nën-21-vjeçarëve shqiptarë nuk e kishte pritur dhe nuk do ta dëshironte. Trajneri i kuqezinjve Alban Bushi shpreson ta kalojë me sukses këtë grup, edhe pse shanset janë fare minimale.
Përveç Anglisë që është shumë lart, lufta do të jetë për vend të dytë. Ndërkohë, është përcaktuar edhe kalendari, me datat përkatëse, me ndeshjet që nisin në mars të 2019-ës e përfundojnë në tetor të vitit 2020. Për kuqezinjtë deri në 21-vjeç, si të Shqipërisë, ashtu dhe të Kosovës, do të jetë një edicion emocionues. Kurrë më parë Shqipëria dhe Kosova nuk janë përballur në gara zyrtare në këtë nivel.