AlbanianSport.com 11/12/2018 15:00
ASNN – Erta Bujari bën “skanerin” e kampionatit: SH.K.B.F. “Tirana po e dominon garën me stërvitje në një fushë shkolle, Flamurtari rivali i vetëm”. Kapitenia e skuadrës së Shoqatës së Klubit të Basketbollit femra të Tiranës (SH.K.B.F. Tirana), Erta Bujari, ka bërë një “skaner” të Grupit A në Kategorinë e Parë të kampionatit të sivjetshëm të basketbollit të femrave, ku beson se skuadra kryeqytetase do të rivalizojë në fund për titullin “kampion” pikërisht Flamurtarin, skuadër që ka dominuar koshin e femrave prej shumë vitesh në Shqipëri.
Bujari ka treguar armët më të forta të skuadrës bardheblu, rivalitetin me skuadrat rivale, gjendjen e grupit si dhe vështirësitë stërvitore e financiare të skuadrës. Në një intervistë për të përditshmen shqiptare “Panorama Sport”, Bujari i ka dhënë përgjigje edhe dilemës së krijuar për ekzistencën e skuadrës pas vendimit të Bashkisë për të mos e sponsorizuar SH.K.B.F.Tiranën. “Po flitet që ekipi ynë do të shkrihet, apo nuk do të vazhdojë më për faktin që Bashkia nuk na mbështet”, – shprehet Bujari për të përditshmen sportive në fjalë.
“Por Tirana do të luftojë deri në fund dhe do të jetë pretendentja kryesore, – vijoi kapitenia e Tiranës. – Rezultatet pozitive që kemi arritur deri tani na japin një shtysë akoma më të madhe për të vazhduar në këtë rrugë. Mendoj se pika jonë më e fortë është eksperienca dhe mbi të gjitha harmonia që mbizotëron në skuadër midis të gjitha vajzave. Të gjitha po japin maksimumin që Tirana të fitojë kampionatin.” Më tej vjen rrëfimi dramatik që tregon se ka lojtare që nuk marrin fare rrogë dhe stërvitjet nuk i zhvillojnë në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, por në një fushë shkolle.
“Në skuadër ka lojtare që nuk marrin as rrogë dhe stërvitjet i bëjnë në një fushë shkolle, – ka vijuar ai. – E megjithatë, vajzat po japin maksimumin dhe përtej vështirësive, po japin shembull se si mund të fitohet. Siç dihet, shefi i klubit prishi kontratën me ne dhe mbështetjen financiare dhe infrastrukturën e vuri në dispozicion të një skuadre tjetër të ardhur nga Kategoria e Dytë. Megjithatë, këto fitore janë përgjigja jonë për ata që nuk kanë besuar tek kjo skuadër”, theksoi më tej Bujari. Kapitenia e Tiranës sheh si rival për titull Flamurtarin, duke ironizuar me Tiranën tjetër, atë të Mirza Alibegajt (SH.B.F. Tirana).
“Rivali ynë i vetëm në këtë kampionat është Flamurtari, pasi diferencat midis Flamurtarit dhe Tiranës tjetër i tregoi fusham, – ka thënë basketbollistja e Kombëtares. – Përvoja në sport është shumë e rëndësishme dhe unë uroj që skuadra jonë dhe Flamurtari të rivalizojmë deri në fund.” Në fund, Bujari ka një mendim edhe për lojtaret e huaja, ku numri i madh po bëhet pengesë që të ketë zhvillim skuadra përfaqësuese. “Të kesh në skuadër 3-4 lojtare të huaja është diçka që e dëmton rëndë Kombëtaren”, – ka thënë ajo.
“Federata duhet të vendosë në mënyrë urgjente një kufizim për numrin e lojtareve të huaja, në të kundërt rezultatet e skuadrës kombëtare do të jenë gjithnjë e më të dobëta”, – përfundoi kapitenia e SH.K.B.F Tiranës, Erta Bujari.