AlbanianSport.com 10/12/2018 19:20
ASNN – Kristiano Ronaldo i ka bërë një sfidë të pazakontë Lionel Mesit, rivalit të tij prej më shumë se 10 vjetësh. Edhe pse “Topin e Artë” këtë vit e fitoi kroati Luka Modriçi, vëmendjen e marrin sërish ata, Mesi dhe Ronaldo. Por këtë herë portugezi i ka lëshuar një sfidë të pazakontë. I ka kujtuar Lionel Mesit se nuk mund të quhet lojtar i madh nëse nuk provon të luajë në Serie A.
Ronaldo i thotë Mesit të vijë të luajë për një ekip italian, në mënyrë që ta bëjnë akoma më vital rivalitetin midis tyre. “Unë kam luajtur në Angli, Spanjë, Itali, Portugali, por edhe në ekipin përfaqësues, – shprehet sulmuesi portugez i Juventusit për mediat italiane, – ndërsa ai ende është në Spanjë. Ndoshta ka nevojë për më shumë. Për mua jeta është një sfidë e madhe, e pëlqej dhe më pëlqen që t’i bëj njerëzit e lumtur.”
“Do të doja që ai të vijë në Itali një ditë, – vijoi Ronaldo. – Si unë, ta pranojë sfidën. Sidoqoftë, nëse ai është i lumtur atje, e respektoj atë. Ai është një lojtar fantastik, djalosh i mirë por mua nuk më mungon asgjë këtu. Kjo është jeta ime e re dhe jam i lumtur.” Para se Modriçi të fitojë këtë vit “Topin e Artë”, më parë këtë trofe për lojtarin më të mirë në botë për 10 vjet me radhës, e kanë fituar portugezi dhe argjentinasi, njëri i Realit e tjetri i Barcelonës, nga 5 herë secili.