AlbanianSport.com 24.11.2014 21:40
ASNN – “Ndeshja me Skënderbeun në Kupën e Shqipërisë më ka vlejtur shumë, sepse skuadra për asnjë çast nuk është goditur psikologjikisht dhe nuk ka pasur probleme për t’u përballur sot (dje) me Veleçikun”, – ka deklaruar trajneri shkodran i Tërbunit, Elvis Plori, pas fitores që skuadra e tij arriti dje në Shkodër ndaj koplikasve.
“Ndaj koplikasve ka qenë një ndeshje e dominuar nga ana jonë, – ka vijuar ai. – Mundet të kishim shënuar dhe më shumë. Por unë them se jemi brenda objektivave. Jemi një skuadër që kemi marrë dhjetë pikë jashtë fushës sonë, madje në ato fusha që të tjerët do ta kenë shumë të vështirë. Të tilla si Fushë-Kruja, Burreli dhe Veleçiku. Unë i kam parë edhe rivalët tanë.”
“Madje të shtunën kam qenë edhe në Fushë-Krujë në përballjen mes Ilirisë dhe Mamurrasit. Dhe mendoj se të gjitha skuadrat janë të denja për në Superiore. Kemi një ndeshje të vështirë të shtunën ndaj Mamurrasit në fushë të huaj, që besoj se do ta kalojmë me sukses. Për këtë them që jemi plotësisht brenda objektivave”, – ka përfunduar Plori, kurse Tërbuni ka marrë një tripikësh të artë ndaj Veleçikut.