AlbanianSport.com 10/12/2018 16:35
ASNN – Të shtunën pasdite është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare një nga emrat e shquar të sportit shkodran, Gjovalin Çuni. Ai ka qenë një figurë poliedrike, pasi ka qenë peshëngritës, mundës, gjimnast, e po ashtu edhe trajner peshëngritje, mundje por edhe boksi. Një personalitet i sportit i cili ka kaluar shumë vite pranë tij, ndoshta duke mos marrë vëmendjen e duhur.
Ka lindur në vitin 1941 dhe karrierën e nisi si peshëngritës ku arrin normën e Mjeshtrit të
Sportit, që ishte një rezultat i lartë dhe përveç kësaj, arrin të shpallet një vit “kampion”. Karrierën e nisi herët me Vllazninë, por më pas kalon tek Partizani për shkak të shërbimit ushtarak. Me të shpallet nënkampion në peshën gjysmë të mesme. Rikthehet në Shkodër dhe i bashkohet përsëri Vllaznisë.
Me të cilën shpallet kampion i Shqipërisë në vitin 1968 duke konkurruar në peshën -82.5 ku arrin të ngrejë 275 kg në dygarësh. Ndërkaq, Gjovalin Çuni është marrë edhe me mundje, madje aty ka qenë më i suksesshëm. Ai shpallet kampion i Shqipërisë në vitin 1960, 1963 dhe 1966 duke konkurruar në stilin klasik. Pra, tre tituj kampion në mundje, çka i japin atij titullin “Mjeshtër Sporti”.
Në rininë e tij ka marrë pjesë edhe në gara të ndryshme gjimnastike, një tjetër sport i preferuar për të, duke arritur të shpallet deri kampion i qytetit por pa shkuar dot më tej. Pas lënies së sportit, nis rrugëtimin e tij të gjatë si trajner. E fillon si trajner peshëngritje, më pas është trajner në mundje. Ndërkohë me fillimin e viteve ’90 dhe rihapjen e boksit në Shkodër, ai është një tjetër sport i preferuar i tij dhe bëhet edhe aty trajner.