AlbanianSport.com 09/12/2018 23:40
ASNN – Tre pikë dhe tashmë në kuotën e 25 pikëve. Vlonjatët rikthehen tek fitorja pas dy vitesh përballë Laçit, në një ndeshje ku nuk kanë munguar edhe polemikat,por në të njëjtën kohë edhe kartonët e verdhë. Një ndeshje e luftuar në Vlorë, aty ku vendos një gol i Danilo Alvesh në minutat e fundit të pjesës së parë.
Pas humbjes në Krujë një javë më parë, Flamurtari ka treguar fytyrë tjetër ndaj Laçit. Ndërsa kurbinasit regjistrojnë ndeshjen e dytë radhazi pa fitore. Për trajnerin e vlonjatëve, Ilir Daja, rezultati mund të ishte edhe më i thellë, referuar rasteve të ndeshjes, apo goditjes së shtyllës,megjithatë e rëndësishme mbetet fitorja dhe 3 pikët.
Por tashmë, sipas tij, kërkohet vazhdimësia në ndeshjet në vijim. Ndërkaq, është rikthyer në Vlorë, aty ku ka luajtur si futbollist, trajneri i Laçit, Migen Memelli, ka theksuar se rezultati nuk ishte i drejtë, për mënyrën e lojës së zhvilluar. Një ndeshje që sidoqoftë ishte e luftuar, ndërsa Memelli theksoi se skuadra e tij do të vijojë të luftojë për Evropën.
Danilo Alvesh ishte lojtari që vendosi ndeshjen dhe për brazilianin, të rikthyer në fushë pas dëmtimit, më shumë rëndësi kanë 3 pikët, edhe pse ndjen keqardhje që në rastin e dytë topi goditi shtyllën, kur rezultati mund të kishte shkuar në 2-0. Flamurtari takimin e ardhshëm do ta luajë sërish në Vlorë përballë Kamzës, ndërsa Laçi pret Tiranën, me të dyja skuadrat që do të luftojnë për Evropën.