AlbanianSport.com 09/12/2018 20:55
ASNN – 10 pikë është diferenca midis Partizanit kryesues dhe Flamurtarit të vendit të 6-të. Kurrë më parë në Kategorinë Superiore nuk kishte ndodhur të kishte një rivalitet të tillë të spikatur, ku 6 ekipe luftojnë për titullin dhe sidomos sot, me futjen e Flamurtarit në “valle”, pas 16 javëve garë në kampionatin elitar shqiptar, mund të thuhet se çdo skuadër është në brendi të objektivave të saj dhe me pak shpenzime në merkato mund të fuqizojnë objektivat e tyre dhe të pretendojnë trofeun.
Ndeshja e fundit e javës së 16-të, Flamurtari-Laçi, u luajt në Vlorë dhe përfundoi me fitoren e kuqezinjve 1-0. Ishte një ndeshje pak a shumë e ekuilibruar, sepse dihet që Laçi është një skuadër shumë e fortë dhe jo rastësish në zonën e kreun. Kurbinasit kishin 26 pikë para kësaj ndeshjeje dhe synonin të fitonin që të kapnin vendin e 4-t e të ishin më afër me kryesuesit e Partizanit. Por nuk ia dolën të dilnin me pikë nga Vlora. Diferencën në ndeshjen e luajtur sot në Vlorë e bëri Danilo Alvesh, sulmuesi brazilian që shënoi golin e fitores në minutën e 43-të.
Ishte një gol me vlerë për fatet e ndeshjes dhe për suksesin e skuadrës vlonjate. Dihet që Flamurtari ka probleme paqëndrueshmërie, por të paktën në Vlorë arrin t’i fitojë ndeshjet dhe ia doli edhe këtë herë. Laçi u përpoq gjatë gjithë kohës të godiste në kundërsulm dhe i kishte të qarta idetë e tij në këtë skemë taktike, por i mungoi finalizimi. Goli i brazilianit, Alvesh, në fund të pjesës së parë detyroi kurbinasit që të ishin më të kujdesshëm në fazën mbrojtëse në pjesën e dytë dhe kundërsulmi nuk u dha efekt. Për pasojë, këtë ndeshje e fiton Flamurtari 1-0, që merr 3 pikë me mjaft peshë, duke shkuar në 25 pikë.
Natyrisht, mbetet në vend të 6-të, me një pikë më pak se Laçi, por është afruar ndjeshëm me kryesuesit, sidomos me skuadrat nga vendi i dytë deri tek i 4-ti. Pas ndeshjeve të javës së 16-të, mund të thuhet se Partizani del sërish i fituar, sepse mori një pikë që shtoi diferencën me ndjekësit. Natyrisht, 10 pikë diferencë midis vendit të parë dhe vendit të gjashtë, nuk janë asgjë kur mbahet parasysh formula e garës dhe ndeshjet e shumta direkte. Prandaj, kur mbeten dhe 20 javë deri në fund, gara për titullin është krejtësisht e hapur.
Kategoria Superiore
Java e 16-të
Të premten, 7 dhjetor 2018:
Kukësi – Skënderbeu 1-0
Të shtunën, 8 dhjetor 2018:
Tirana – Kastrioti 4-0
Teuta – Partizani 1-1
Të dielën, 9 dhjetor 2018:
Kamza – Luftëtari 1-0
Flamurtari – Laçi 1-0
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 16 11 2 3 18-8 35
- Skënderbeu 16 9 3 4 18-9 30
- Kukësi 16 9 3 4 16-9 30
- Teuta 16 8 5 3 19-12 29
- Laçi 16 7 5 4 13-11 26
- Flamurtari 16 7 4 5 14-11 25
- Tirana 16 3 5 8 17-19 14
- Luftëtari 16 4 1 11 11-18 13
- Kamza 16 3 3 10 8-19 12
- Kastrioti 16 3 1 12 11-29 10