AlbanianSport.com 09/12/2018 17:15
ASNN – Kamza e Gjokës s’është më e fundit, fitore e madhe në derbin e fundtabelës me Luftëtarin. Mjaftoi një gol i japonezit Fukui në minutën e 35-të, që Kamza të marrë 3 pikë të dielën përballë Luftëtarit, duke i ikur vendit të fundit dhe duke kërcënuar drejtpërdrejt Tiranën. Kjo fitore, e komplikon edhe më tej garën për mbijetesë, sepse, diferenca mes Tiranës së vendit të 7-të që ka 14 pikë dhe Kastriotit të vendit të fundit (10 pikë) është vetëm 4 pikë, pra gjithçka e hapur.
Nga ndeshja e së dielës mund të veçohet loja pak a shumë e ekuilibruar dhe rastet e mira për shënim nga të dy kampet. Të dyja skuadrat patën shanset e tyre për ta fituar ndeshjen, pasi edhe gjirokastritët krijuan volum loje dhe u shfaqën të rrezikshëm në mjaft momente. Megjithatë, është fakt evident që Luftëtari është në krizë në këtë periudhë për shkak të financiave të munguara. Lojtarët kanë qenë të stresuar sepse po dilnin në rrugë dhe kjo vinte ngaqë klubi kishte dhënë shenjat e një falimentimi financiar.
Edhe pse drejtuesit e klubit insistonin që situata do të stabilizohet, ndodhi e kundërta, pasi kriza preku drejtpërdrejt ekipin, i cili humbi kompaktësinë. Ndoshta kjo krizë ndikoi dhe në ndeshjen e sotme, pa ia hequr meritat Kamzës, e cila me zgjuarsi arriti të merrte një trepikësh që e fut plotësisht në vallen e mbijetesës dhe i jep shpresë të qëndrojë në Superiore.Goli i Fukuit i dedikuar për humbjen e vëllait të një shoku të tij, ishte vendimtar në këtë përballje.
Sepse i dha skuadrës së trajnerit Ernest Gjoka një fitore me vlerë të madhe. Të gjithë e kanë kuptuar se mbijetesa do të varet nga duelet direkte midis skuadrave të vendeve të fundit, prandaj dhe Gjoka e zgjidhi si duhet këtë detyrë. Në 3 ndeshje në krye të Kamzës, trajnerit kryeqytetas ka marrë 4 pikë me një humbje, një barazim e një fitore, një ecuri e kënaqshme. Pra, faktori “Gjoka” po jep shenjat e “ringjalljes” së skuadrës periferike.
Një trajner “finok” në skemat taktike, mjeshtër i drejtimit të ekipeve të vogla nëpërmjet mbrojtjeve efikase, njëherësh strateg për të marrë maksimumin nga një grup modest, Gjoka e hodhi hapin e parë të madh të dielën, sepse Kamza fitoi dhe shkoi në 12 pikë, në vend të parafundit, por me një pikë më pak se Luftëtari dhe dy pikë më pak se Tirana e vendit të 7-të.
Kategoria Superiore
Java e 16-të
Të premten, 7 dhjetor 2018:
Kukësi – Skënderbeu 1-0
Të shtunën, 8 dhjetor 2018:
Tirana – Kastrioti 4-0
Teuta – Partizani 1-1
Të dielën, 9 dhjetor 2018:
Kamza – Luftëtari 1-0
Flamurtari – Laçi (17:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 16 11 2 3 18-8 35
- Skënderbeu 16 9 3 4 18-9 30
- Kukësi 16 9 3 4 16-9 30
- Teuta 16 8 5 3 19-12 29
- Laçi 15 7 5 3 13-10 26
- Flamurtari 15 6 4 5 13-11 22
- Tirana 16 3 5 8 17-19 14
- Luftëtari 16 4 1 11 11-18 13
- Kamza 16 3 3 10 8-19 12
- Kastrioti 16 3 1 12 11-29 10