AlbanianSport.com 09/12/2018 15:25
ASNN – Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit i ka luajtur të shtunën 9 nga ndeshjet e javës së 12-të në të dy grupet e saj dhe në grupin B, apo grupin e Jugut, spikati përballja midis Bylisit dhe Apolonisë. Bylisi kryesues mposhti me rezultatin 1-0 Apoloninë në takimin e zhvilluar në “Adush Muça” dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit.
Fitore ka marrë edhe Besa, që ka përmbysur Tomorin në minutat e fundit të ndeshjes së luajtur në Kavajë, ashtu sikundër ka patur përmbysje dramatike edhe për Lushnjën, përballë Egnatias. Nuk kanë falur në shtëpi as Pogradeci, që mposhti Orikun me rezultatin 2-1, e as Elbasani, që fitoi 2-0 në “derbin” e mbijetesës ndaj Turbinës së Cërrikut.
Ndërkaq, edhe grupi A i ka luajtur të shtunën pasdreke 4 nga takimet e javës së 12-të dhe, për skuadrat vendase, me përjashtim të Veleçikut të Koplikut, ato rezultuan ndeshje të suksesshme. Ekipi i i Burrelit arriti që të fitonte me Erzenin me një rezultat minimal, dhe të njëjtën gjë me të njëjtin rezultat bëri dhe Korabi në shtëpi përballë Shënkollit.
Ndërsa skuadra e Ilirisë arriti që të fitonte me rezultatin 3-1 në fushën e saj përballë Vorës. Takimi më i spikatur i këtij grupi është ai midis Vllaznisë dhe Dinamos, që u luajt të dielën dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizonit Shqiptar, u fitua nga shkodranët me një gol të vetëm.