AlbanianSport.com 08/12/2018 07:55
ASNN – Java e 9-të e Grupit A të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Femrave, nuk pati kurrfarë surprize të premten, sepse SH.K.B.F. Tirana vijon rrugën e saj të fitoreve të pandërprera, duke qenë padyshim skuadra favorite për titullin këtë edicion. Skuadra që drejtohet nga trajneri Erdal Borova, mundi të premten Elbasanin, me rezultatin 96-73.
Të katër pjesët e lojës folën për Tiranën e Borovës, e cila vuri diktatin e saj që në 10-minutëshin e parë, të cilin e fitoi me shifrat 21-15. Akoma më i thellë ishte 10-minutëshi i dytë që u fitua me shifrat 29-17. Pra SH.K.B.F.Tirana e mbylli gjysmën e parë të ndeshjes me një epërsi prej 18 pikësh, 50-32. Në 10-minutëshin e tretë loja ishte më e balancuar, por gjithmonë nën kontrollin e Tiranës së Borovës.
Bardheblutë e fitua dhe këtë pjesë me shifrat 23-20, kurse 10-minutëshi i 4-t dhe i fundit me shifrat 23-21. Krejt ndeshja u fitua nga SH.K.B.F.Tirana me rezultatin 96-73. Kjo fitore jo vetëm e mban Tiranën në krye të renditjes me 18 pikë, por e konfirmon atë si një skuadër të pathyeshme. Në 9 javë të luajtura ka korrur 9 fitore, një ecuri mbresëlënëse.
Kur mbetet të luhet dhe një ndeshje nga pjesa e parë e sezonit, skuadra e trajnerit Borova është në pozitat e duhura dhe realisht një pretendente e denjë. Tri skuadrat e tjera, Flamurtari, SH.B.F Tirana dhe Vllaznia do të përpiqen ta rivalizojnë atë në pjesën e dytë të sezonit pasi të bëjnë merkato. Dhe me gjasë do të bëjnë merkato me lojtare të huaja.
Ndërkohë, siç dihet, të enjten u luajt ndeshja SH.B.F.Tirana-Studenti, një derbi i fituar nga vajzat e trajneres Mirza Alibegaj, me rezultatin 93-46. Sot në Vlorë po luhet ndeshja e fundit e kësaj jave, Flamurtari-Vllaznia, një duel direkt për vendin e dytë dhe që është domethënës për vazhdimësinë.