AlbanianSport.com 06/12/2018 23:00
ASNN – Në një intervistë për “TV Klan”, trajneri Kristian Panuçi komentoi dhe një herë shortin e grupit H të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian, duke thënë se Shqipëria do të rivalizojë me Islandën dhe Turqinë për një vend në Euro 2020.
“Që të shkojmë në Evropian, duhet të tregojmë se jemi më të zotë se ata, pra se turqit dhe islandezët”, tha Panuçi. Më pas ai u pyet për arsyet që e çuan presidentin e FSHF-së Armand Duka, që t’i besnonte dhe më tej.
“Duka e kuptoi që ishim në vështirësi, – theksoi më tej Panuçi, – ai e di që skuadra është me mua. Kam fatin që të kem një president me nivel intelektual më lart se mesatarja. Grupi i lojtarëve është me mua, tek unë kanë gjetur një mik.”
“Ka pasur lojtarë që nuk luajnë në skuadrat e tyre dhe unë i kam ndihmuar dhe grumbulluar, – ka vijuar italiani. – Por unë e di se çfarë duhet për të fituar dhe këtë dua të transmetoj edhe tek lojtarët.”
“Por duhet të djersijnë në stërvitje sepse përfaqësojnë kombin”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi.