AlbanianSport.com 06/12/2018 22:05
ASNN – Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte të enjten në Shtërmen, në fshatin e peshëngritësve të talentuar, ku vizitoi nga afër palestrën e shtangës dhe të rinjtë e peshëngritjes që trajnohen nga trajneri me përvojë Leonard Toska. Në Shtërmen, Presidenti Ilir Meta i akordoi shtangistit Briken Calja, kampionit të trefishtë të Evropës, titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, për sukseset e arritura dhe përfaqësimin dinjitoz të peshëngritjes dhe sportit shqiptar në tërësi në veprimtaritë ndërkombëtare.
Vetë Calja, nëpërmjet një statusi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, përshkroi emocionet e vlerësimit të tij nga Presidenti i Shqipërisë, duke mbyllur kështu me dinjitet një vit të suksesshëm sportiv. “Një krenari e papërshkrueshme dhe nderim që do ta mbaj me vete gjithë jetën, – shkruan që në fillim të mesazhit të tij Briken Calja, – është titulli që m’u akordua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta në ceremoninë e mbajtur në vendlindjen time në Shtërmen, vendin ku lindi dhe mori trajtë çdo fillesë. Ka qenë një vit plot suksese për karrierën time.”
“Dhe nuk kishte si të mbyllej më mirë sesa në këtë mënyrë të veçantë, – vijon kampioni i trefishtë i Evropës. “Faleminderit z. President, për vlerësimin me anë të titullit “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut “, një prej titujve më të rëndësishëm e të veçantë që institucioni i Presidentit të Republikës lëshon për figura të cilat kanë nderuar e nderojnë vendin tonë! Falënderues pafund kundrejt familjes dhe njerëzve që më kanë mbështetur deri më sot dhe kanë pasur e kanë besim tek unë dhe bindjen që mund të arrijmë gjëra të mëdha me punë dhe djersë.”
“Pafund krenar!”, – përfundon postimin e tij në rrjetin social “Facebook”, shtangisti i madh shqiptar, kampioni dhe rekordmeni kombëtar, Briken Calja.