AlbanianSport.com 06/12/2018 15:40
ASNN – Berisha i çmon rivalët, por s’pyet për konkurrencë, mbetet portier i parë i Atalantës. Portieri i Kombëtares, Etrit Berisha, deklaroi për mediat italiane se ka marrëdhënie të shkëlqyera me dy portierët e Atalantës, Pierluixhi Golini dhe Françesko Rosini. “Gardiani” i përfaqësueses kuqezi shtoi se sidomos rivaliteti me Golinin e motivon më shumë dhe nuk ka kurrfarë hatërmbetjeje.
Në javët e fundit, Berisha jo vetëm ka qenë titullar i padiskutuar, por ka pasur ndikim të madh në rezultatet e skuadrës, duke dhënë kontributin e tij pozitiv. “Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera ndërmjet portierëve të Atalantës, – u shpreh Berisha për kanalin televiziv të klubit të Atalantës, “TV Bergamo”, – dhe konkurrenca është e shëndoshë dhe e mirë për motiv.”
“Të gjithë mundohemi ta japim maksimumin në stërvitje dhe ai që vendos në fund është trajneri Xhianpiero Gasperini”, – shton ai. Portieri 29-vjeçar i përfaqësueses së Shqipërisë, ka qenë titullar në 5 ndeshjet e fundit të Atalantës, ndërkohë që në total ka 7 ndeshje të luajtura këtë sezon. Kjo pasi në fillim të edicionit portier i parë ishte Pierluixhi Golini.
Berisha ka komentuar edhe ndeshjen e humbur të martën në mbrëmje, 1-2 përballë Napolit, ndërsa shpreson që pikët e humbura përballë napolitanëve, t’i kompensojë kundër Udinezes. “Kundër Udinezes kemi mundësi të kthehemi me fitore, – vijoi Berisha, – edhe pse kundër një ekipi që ka nevojë për t’i ikur rënies është shumë vështirë.”