AlbanianSport.com 06/12/2018 14:45
ASNN – Është hedhur sot në Nion të Zvicrës, në selinë e UEFA-s, shorti për fazën Eliminatore të Kampionatit Evropian, si për grupmoshën e Nën-17-vjeçarëve, ashtu edhe atë të Nën-19-vjeçarëve dhe kuqezinjtë kanë njohur kundërshtarët e tyre. Kështu, tek Nën-17-vjeçarëve janë gjithsej 13 grupe me nga 4 skuadra dhe Shqipëria bën pjesë në grupin e 8-të, së bashku me Portugalinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Portugali në datat 13, 16 dhe 19 nëntor 2019. Skuadrat që do të kualifikohen nga turi eliminator në atë “Elitë” do të jenë plot 30 përfaqësuese, nga të cilat, 26 skuadrat janë skuadrat që do të renditen të parat dhe të dytat në grupet e tyre përkatëse, si dhe 4 vendet e 3-ta më të mira në 13 grupet do të kalojnë në fazën tjetër.
Ndërkaq, edhe tek Nën-19-vjeçarët janë gjithsej 13 grupe me nga 4 skuadra dhe Shqipëria bën pjesë në grupin e 4-t, së bashku me Belgjikën, Islandën dhe Greqinë. Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Belgjike në datat 13, 16 dhe 19 nëntor 2019. Skuadrat që do të kualifikohen nga turi eliminator në atë “Elitë”, do të jenë 27, ku 26 skuadrat që do të renditen të parat dhe të dytat në grupet e tyre përkatëse, si dhe vendi i tretë më i mirë në 13 grupet do të kaloj në fazën tjetër.