AlbanianSport.com 05/12/2018 23:55
ASNN – Liverpuli regjistroi një fitore të madhe sot në mbrëmje kundër Bërnlit, në kampionatin anglez, duke e mundur me rezultatin 3-1 dhe duke siguruar një 3-pikësh me mjaft vlerë për renditjen, pasi ruan distancën me vetëm dy pikë me Mançester Sitin kryesues, (41-39). Në këtë ndeshje la gjurmë mjaft pozitive mesfushori me tipare sulmuese, shqiptari Xherdan Shaqiri, i cili realizoi golin e tretë dhe që vulosi në mënyrë përfundimtare fitoren e “Të kuqve” anglezë.
Në fakt, ishte Bërnli që kaloi i pari në epërsi, në minutën e 54-t me anë të Korkut. Por ekipi i trajnerit gjerman Jurgen Klop u kundërpërgjigj furishëm dhe me saktësi, duke shënuar 3 gola për 30 minuta. Milneri barazoi shifrat në minutën e 62-të pas pasimi nga Origit. Firmino shënoi pas 7 minutash nga një pasim ideal i Van Dijkut. Kurse golin e 3-të e shënoi Xherdan Shaqiri në minutën e parë shtesë, duke vulosur kështu përmbysjen dhe fitoren e gjigandes angleze.
Në vendin e dytë, me dy pikë me pak se Mançester Siti, Liverpuli ka 39 pikë. Kurse Bërnli mbetet në vendin e 19-të dhe të parafundit të renditjes, me 9 pikë dhe në rrezik real për të rënë nga kategoria. Sa i takon Shaqirit, video e golit tregon qartë se pas shënimit të golit tifozeria ngrihet në këmbë dhe e përshëndet fuqishëm, e tashmë të gjithë e kanë kuptuar se Shaqiri është lojtar që nuk duhet të rrijë në stol, por të futet në fushë sepse jep spektakël.