AlbanianSport.com 05/12/2018 23:00
ASNN – Sindrit Guri gjen golin me Ostenden në Kupën e Belgjikës, shpresë për t’u rikthyer titullar. Sulmuesi Sindrit Guri ishte protagonist sot me Ostenden në Kupën e Belgjikës, pasi realizoi një nga dy golat e skuadrës së tij në barazimin 2-2 në kohën e rregullt ndaj Muskronit. Dy kohët shtesë u mbyllën në barazim 3-3, por skuadra e Gurit fitoi pas goditjeve nga pika e bardhë e 11-metërshve, me shifrat 5-4.
Ishte një gol si çlirim psikologjik për ish-sulmuesin e Kukësit, i cili ka prej disa javësh që e ka humbur vendin e titullarit në skuadër dhe po vuan për minutazh. Por në Kupë është aktivizuar më shumë dhe sot e tregoi veten se është lojtar që i duhet skuadrës së Ostendes. Guri realizoi në minutën e 81-të, duke barazuar shifrat dhe duke i dhënë shpresë ekipit të tij.
Fakt është se Sindrit Guri e nisi kampionatin belg si titullar dhe tek Ostende ai krijoi shpejt profilin e një sulmuesi të shpejtë e të fuqishëm. Por me kalimin e javëve prezantimi i tij ra në cilësi dhe tani ndodhet në pozita të vështira, sepse ka shumë rivalitet. Goli i sotëm mund ta ndihmojë të kalojë vështirësitë që i janë paraqitur dhe mund të jetë një sinjal për trajnerin e Ostendes që t’i japë më shumë minuta e pse jo, ta aktivizojë titullar edhe në ndeshjet në kampionat.