AlbanianSport.com 05/12/2018 16:35
ASNN – Lis Shoshi është lojtari që po shkëlqen më shumë në këtë moment në radhët e përfaqësueses së Kosovës në basketboll për meshkuj. Fakti është se Kosova i humbi të dy ndeshjet e javës së kaluar në Eliminatoret e EuroBasketit 2021, ndaj Rumanisë dhe Maqedonisë, por Shoshi regjistroi në aspektin personal rezultate fantastike si në pikët e shënuara, kërcimet në tabelë dhe pasimet për kosh, duke qenë praktikisht lojtari më i mirë i Kosovës në parketin e lojës.
Në fakt, rolin e liderit prej vitesh në gjirin e përfaqësueses së Kosovës e ka pasur Dardan Berisha, i cili ka përvojë të madhe dhe një lojtar me mjaft potencial, por Shoshi po spikat si lojtar fenomenal në këtë edicion. Kosova u mund nga Rumania me shifrat 88-83, por Shoshi realizoi 29 pikë, zotëroi 18 topa në tabelë dhe sipas mediave kosovare kishte një efikasitet +35, më shumë se dyfishi i lojtarit më të mirë rumun në fushën e lojës, që e kishte koeficientin +16.
Edhe në ndeshjen kundër Maqedonisë, që përfaqësuesja e Kosovës e humbi në Gjevgjeli me shifrat 78-68, Shoshi ishte më i miri nga radhët e skuadrës së tj, duke shënuar 18 pikë dhe zotëroi 15 topa në tabelë. Koeficienti i tij i efikasitetit ishte +24, shumë afër me më të mirin e skuadrës së Maqedonisë, Bojan Trajkovski, që pati efikasitet +28. Nga analiza që kanë bërë specialistët e basketbollit në Kosovë, duhet që përfaqësuesja e saj t’i kushtojë më shumë rëndësi Lis Shoshit, si fenomen i koshit.
Por që ai të jetë në maksimumin e vet duhet ta ndihmojë skuadra, pra grupi të ketë më shumë cilësi.