AlbanianSport.com 04/12/2018 22:00
ASNN – “Fanatics”-sat reagojnë pas akuzave të Ze Marias në adresë të drejtuesve të klubit: “Mister ke të drejtë, Tiranën e drejtojnë “pseudo”-t!” Ish-trajneri i Tiranës, braziliani Ze Maria, ka dhënë një intervistë për mediat sportive shqiptare, ku ka akuzuar disa drejtues të klubit bardheblu për paaftësi dhe më keq akoma për lëvizje në dëm të klubit.
Deklaratave të forta të Ze Marias, nuk u është përgjigjur ende asnjë zyrtar i klubit, por ka pasur sot një reagim shumë të fortë të tifogrupit “Tirana Fanatics”, i cili ka falënderuar Ze Marian për kontributin dhe hapjen e “petëve të lakrorit”, duke shtuar dozën e akuzave ndaj presidentit Refik Halili.
Por edhe zyrtarëve të tjerë, të cilët konsiderohen si një e keqe e madhe që kanë punuar kundër interesave të klubit bardheblu. Me këtë qëndrim, tifozët ultras të Tiranës e justifikojnë Ze Marian për rezultatet e dobëta dhe janë të bindur se e keqja e klubit është në kupolën e tij.
Postimi i plotë i “Tirona Fanatics”
“Deklaratat e ish-trajnerit bardheblu Ze Maria, janë pikërisht ato deklarata të cilat “TF” (Tirona Fanatics) tashmë ka kohë që i përsërit e ripërsërit. Fajtorët kryesor të gjendjes së mjerueshme ku ndodhet sot Tirona, janë pseudo-drejtuesit e pseudo-klubit bashkë me pseudo-presidentin. Refik Halili, Hektor Çomo dhe Arbi Laçi janë ata, që së bashku kanë punuar vetëm e vetëm për përfitime personale dhe në dëm të “Sport Klubit”, e janë ata dashakeqësit e vërtetë të Tironës. Sa më shpejt të largohen të tre, bashkë me pseudo-senatorët që ishin protagonistë në rënien e Klubit aq më mirë do të jetë për të gjithë… Tirona Fanatics i uron fat Ze Marias për karrierën e tij në vazhdim! Suksese Mister…!”