AlbanianSport.com 04/12/2018 21:05
ASNN – Sulmuesi Myrto Uzuni po kalonte një moment të shkëlqyer në kampionatin kroat, deri të martën në mbrëmje, ku edhe pse e nisi titullar dhe po luante mirë, madje skuadra e tij po fitonte, del nga “binarët” në fundin e pjesës së parë të ndeshjes mes Lokomotivës së Zagrebit dhe Rijekës, duke bërë një ndërhyrje të frikshme ndaj një lojtari kundërshtar dhe duke dalë me karton të kuq.
Gjithçka ndodhi në çerekfinalet e Kupës së Kroacisë, ku Lokomotiva e Zagrebit ku luan sulmuesi kuqezi përballej me skuadrën e njohur të Rijekës. Radonjiç kishte shënuar për ekipin e Uzunit në minutën e 20-të dhe udhëhiqte 1-0, por ndërhyrja horror e Uzunit dhe dalja me karton të kuq e tij, sollën mbetjen e skuadrës me 10 vetë e për pasojë në pjesën e dytë Rijeka e përmbysi rezultatin, duke fituar 2-1.
Edhe pse Uzuni kërkoi falje pas ndërhyrjes, gjyqtari nuk e kurseu, duke i treguar menjëherë kartonin e kuq. Ndërhyrja e Uzunit u cilësia në median sportive kroate e papranueshme dhe kartoni i kuq më e pakta që mund të jepej për të në këtë përballje. Përveçse do të mungojë në ndeshjen e ardhshme, Uzuni mund të penalizohet më shumë nga Komisioni i Disiplinës, pasi ndërhyrja ishte brutale.
“Damari shqiptar” edhe një herë tjetër dominoi në fushë, duke errësuar profesionalizmin që ai kishte dëshmuar sidomos në këtë fillim sezoni të kampionatit kroat. Presioni ka qenë i madh, por edhe egoja e lojtarit për të kapur majat duket se e ka vënë lojtarin në kushte tensioni, gjë që u pasqyrua edhe në paraqitjen e tij të sotme. Ky ishte kartoni i parë i kuq në karrierën e tij të deritanishme.