AlbanianSport.com 04/12/2018 19:15
ASNN – Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, është vënë në shënjestër të kritikave në median italiane dhe në rrjetet sociale nga tifozët, duke kaluar një moment të vështirë. Natyrisht, gjithçka lidhet me trajnerin Karlo Ançeloti, i cili ka nisur të ketë preferenca të tjera në krahun e djathtë të mbrojtjes. Megjithatë, Hysaj ka marrë mbështetje nga disa persona me influencë në merkaton italiane dhe specialist që i njohin mirë vetitë e futbollistëve.
Kështu, eksperti i merkatos italiane, Alfredo Pedula, beson se futbollisti shqiptar ka shumë cilësi. Duke folur për emisionin radiofonik “Si gonfia la rete”, ai ka shpjeguar se zërat e tifozëve apo pakënaqësitë e tyre nuk duhen marrë asnjëherë për bazë në vlerësimin e një lojtari. “Në Itali ka pak mbrojtës krahu si Mario Rui, – u shpreh Pedula për emisionin në fjalë, – nëse Napoli e nxjerr në shitje, do të rreshtohej një numër i rëndësishëm ekipesh ndërkombëtare për ta blerë.”
“Kurse te Roma e cilësonin të mbaruar pa e parë të luante asnjëherë, – ka vijuar ai. -Edhe në Napoli flitet në bazë të koncepteve të cilat nuk janë krijuar duke u bazuar te realiteti. Të gjithë gabojnë ndonjë ndeshje, as Ronaldo nuk është gjithmonë mes më të mirëve. Nuk janë të çmendur te Napoli që e vlerësojnë 50 milionë euro kartonin e Elseid Hysajt”.
Lënia në stol e Hysajt në mënyrë të shpeshtuar dhe me minutazh të madh, ka sjellë “bllokimin” e lojtarit të Kombëtares kuqezi, i cili po hedh vështrimin në merkato, për të gjetur një destinacion që i jep mundësi të luajë titullar dhe të tregojë aftësitë e tij. I vetmi që e beson këtë me sa duket është ish-trajneri i tij, Mauricio Sarri, aktualisht në krye të Çellsit të Londrës.